Vetting/ Konfirmohet krye-gjyqtarja e Apelit për Krimet e Rënda, “ngec” kandidati për Gjykatën Speciale

Vetting/ Konfirmohet krye-gjyqtarja e Apelit për Krimet e Rënda, “ngec” kandidati për Gjykatën Speciale
Vetting-u çon në shtëpi një gjyqtar tjetër kandidat për Gjykatën Speciale, ndërkohë që kalon me sukses procesin e verifikimit kryegjyqtarja e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.

Gurali Brahimllari, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Tiranë u shkarkua sot nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), dhe po sot Saida Dollani, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, u konfirmua në detyrë.

Gurali Brahimllari ishte edhe kandidat për Gjykatën Speciale.

Brahimllari u përball të martën me Vetingun gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku u identifikuan mungesë burimesh të ligjshme në krijimin e disa pasurive, ndërsa u vlerësua pozitivisht për kriterin e figurës dhe profesionalizmin.

Ai e kishte filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si ndihmësgjyqtar në Gjykatën e Kuçovës. Në vitet 1998-2001 ai ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe më pas është emëruar në Gjykatën e Fierit.

Në çelje të seancës dëgjimore, relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi sqaroi se Komisioni kishte përfunduar rivlerësimin në të tre kriteret për gjyqtarin Gurali Brahimllari. Bekteshi theksoi se Braimllari nuk e kalon Vetting-un, duke e shkarkuar atë nga detyra. Treshja gjyqtare që shqyrtoi dosjen e Braimllarit përbëhej nga: Roland Ilia, Genta Tafa (Bungo), Brunilda Bekteshi.

Seanca dëgjimore e zhvilluar të enjten ndaj gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollani nuk evidentoi asnjë problem në kriterin e pasurisë, atë të pastërtisë së figurës si dhe të aftësive profesionale. Relatorja e çështjes, Valbona Sanxhakatari u shpreh në fillim të seancës dëgjimore se Komisioni e ka kryer rivlerësimin e gjyqtares Dollani në të tre kriteret.

Trupa gjykuese e KPK përbëhej nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Marie Tuma.

Trupa gjykuese doli në vlerësimin se gjyqtarja Dollani ka kaluar me sukses Vetting-un.

loading...
loading...