Reagon Metropolia për intervistat dhe takimet elektorale të PS-së brenda kishës: Fyerje dhe shkelje

Reagon Metropolia për intervistat dhe takimet elektorale të PS-së brenda kishës: Fyerje dhe shkelje
Mitropolia e Fierit ka reaguar lidhur me një intervistë që dha kandidatja e PS-së për bashkinë e Roskovecit, Majlinda Bufi, e realizuar brenda Kishës së Shën Kollit në Roskovec. Intervista u transmetua në profilin e kryeministrit Edi Rama në “Facebook”.

Kjo intervistë në kishë vjen pas një kandidati tjetër socialist i cili zhvilloi në kishë një takim elektoral. Bëhet fjalë kandidatin për bashkinë e Tepelenës, Tërmet Peçi, i cili organizoi një takim elektoral në një prej Kishave të zonës.

Pas deklaratës së Mitropolisë,ka reaguar Majlinda Bufi. Ajo thotë se Kisha e Shën Kollit në Kurjan, ku ajo dha intervistën nuk është pronë e Mitropolisë, por është monument kulture.

“Kisha e Shën Kollit është objekt i Ministrisë së Kulturës. Nuk bëra fushatë politike, por thjeshtë dhashë një intervistë. Nëse në këtë kishë do të ushtrohej aktivitet fetar jam dakord, por ai është thjeshtë një objekt monument kulture”, u shpreh kandidatja për bashkinë e Roskovecit.

Kisha në reagimin e saj thotë se është realizuar pa lejen e saj dhe përdorimin e Kishës për takime politike e konsideron “një Sakrilegj ndaj vendeve të Shenjta dhe fyerje të ndjenjave të besimtarëve, pasi ato janë vend lutje dhe adhurimi”.

Gjithashtu kjo intervistë, - nënvizon deklarata, -  është në shkelje të marrëveshjes së vitit 2009, midis Qeverisë dhe Kishës Ortodokse, që “ndalon ndërhyrjen dhe përdorimin e objekteve fetare nga autoritetet shtetërore.”

Deklarata e Mitropolisë së Shenjtë të Apollonisë dhe Fierit

Duke marrë shkas nga një emision i dhënë në ERTV, dhe nga qarkullimi i këtij emisioni në rrjetet sociale, ku një kandidate për Kryetare Bashkie jep një intervistë në ambjentet e një Kishe, pa dijeninë dhe lejen tonë, kërkojmë nga pushteti politik dhe vendor, si edhe nga të gjitha forcat politike, shoqata apo individë, që të mos përdorin Kishat dhe Tempujt e Shenjtë për deklarata, mbledhje apo mitingje politike.

Përdorimi i tyre për motive të tilla përbën së pari një Sakrilegj ndaj vendeve të Shenjta dhe fyerje të ndjenjave të besimtarëve, pasi ato janë vend lutje dhe adhurimi. Së dyti, përbën shkelje të “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë” (Ligji nr. 10 057 Date 22.01.2009). Pikërisht, neni 21 dhe 23 i këtij ligji ndalon ndërhyrjen dhe përdorimin e objekteve fetare nga autoritetet shtetërore, me përjashtim të urdhërit ekzekutiv, pasi është marrë pëlqimi nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.

loading...
loading...