Ka zgjedhje më 30 qershor? Kolegji Zgjedhor rrëzon Idajet Beqirin, bashkë me të edhe dekretin e Metës

Ka zgjedhje më 30 qershor? Kolegji Zgjedhor rrëzon Idajet Beqirin, bashkë me të edhe dekretin e Metës
Kolegji Zgjedhor vendosi sot rrëzimin e padisë së kryetarit të Partisë Uniteti Kombëtar, për t’u çregjistruar nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Sipas Idajet Beqirit, ky vendim do të thotë që më 30 qershor ka zgjedhje.

Me shqyrtimin e kërkesës së bërë nga Idajet Beqiri, i cili kërkoi që partia e tij të ç’regjistrohet nga zgjedhjet e 30-qershorit, Kolegji lë në fuqi vendimin e KQZ-së, që do të thotë se dekreti i Metës për anulimin e zgjedhjeve është i paligjshëm dhe zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.

Kolegji Zgjedhor, me trupë gjykuese të përbërë nga Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj, shqyrtoi kërkesën e kryetarit të partisë së Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri, për t’u çregjistruar nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Gjatë seancës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se i qëndron vendimit të marrë për të mos pranuar kërkesën e Beqirit.

KQZ tha se dekreti i presidentit është i pavlefshëm dhe në shkelje të ligjit.

“Partia Uniteti Kombëtar është regjistruar, kemi miratuar fletët e votimit dhe renditjen e partive në këto fletë. Fletët janë printuar. PUK renditet në fletë aty në ato bashki ku ka marrë pjesë. Kërkesa e Beqirit është e pabazuar në ligj dhe duhet rrëzuar. Legjislatori nuk e ka parashikuar tërheqjen me ligj. Heqja e një partie automatikisht do sillte asgjësimin e fletëve të votimit. Ky precedent do të banalizonte zgjedhjet”, u shpreh përfaqësuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Olsi Peto.

Nga ana e tij, Beqiri tha se dekreti i Presidentit ka çuar në një përplasje institucionale të cilën duhet ta zgjidhë Kolegji. Kreu i PUK-së tha se elektorati është vënë në pozitë të vështirë me KQZ-në që vazhdon procesin zgjedhor dhe me presidentin që i ka anuluar me direkt ato.

“KQZ na thotë dekreti i presidentit është absolutisht i pavlefshëm. Presidenti thotë që këto janë zgjedhje moniste por në fletë ka 50 parti politike. Kolegji zgjedhor duhet të zgjidhë ngërçin e krijuar midis institucioneve “, tha Beqiri gjatë seancës në Kolegj.

Në përfundim të paraqitjes së argumenteve gjatë kësaj seance nga Idajet Beqiri dhe përfaqësues të KQZ-së, Kolegji Zgjedhor vendosi të hedhë poshtë vendimin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve dhe të  lërë në fuqi vendimin e KQZ-së që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor.

Idajet Beqiri menjëherë sapo u shpall vendimi i Kolegjit Zgjedhor, u shpreh.

“Është një vendim i formës së prerë dhe ne të drejtë ankimimi nuk kemi më. Jemi të detyruar ta zbatojmë këtë ligj. Do të thotë që më 30 qershor ka zgjedhje. Duke respektuar këtë vendim të Kolegjit, do t’i nënshtrohemi të gjithë rregullave për të vijuar garimin për kaq ditë sa na kanë mbetur”, tha ai.

Avokati Beqiri i kërkoi fillimisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve çregjistrimin e Partisë së Unitetit Kombëtar nga zgjedhjet. Beqiri e argumentoi kërkesën dërguar KQZ-së, se zgjedhjet janë anuluar me dekret të presidentit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi. Por kërkesa u rrëzua nga KQZ-ja, me argumentin se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor

loading...
loading...