Basha pret diplomaten amerikane në Tiranë, “zgjedhje pa opozitën s’do pranohen, s’do njihen!”

Basha pret diplomaten amerikane në Tiranë, “zgjedhje pa opozitën s’do pranohen, s’do njihen!”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot në një takim përfaqësuesen më të lartë të Ambasadës së  SHBA-ve, në Tiranë, Leyla Moses-Ones. Takimi mes tyre u zhvillua për disa minuta në selinë e PD.

Basha nuk ka pranuar të komentojë apo tregojë detaje nga takimi me diplomaten amerikane.

Basha shtoi se 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh, sepse nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën.

“Takimet që kam me diplomatët e huaj nuk kanë qenë kurrë subjekt i bisedave të mia me përfaqësuesit e shtypit”, tha Basha.

Lidhur me pretendimet se opozita kërkon të krijojë incidente në 30 qershor, kreu i PD tha se ky është një mashtrim dhe sugjeroi mediat të konfirmojnë edhe burimin se nga ka dalë ky informacion. “Natyrisht që është një prodhim i mercenarëve mediatikë të Edi Ramës. Mashtrim total dhe shërbim që i bëhet Edi Ramës dhe klikës së tij. S’ka zgjedhje më 30 qershor. E para nuk ka zgjedhje pa opozitën. Votime bën edhe Koreja e Veriut por nuk ka zgjedhje. S’ka rëndësi çfarë mendon kryeministri, rëndësi ka që është një standard ndërkombëtar, europian. Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të lejohen. Nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen.”

30 qershorin, Basha e cilësoi si data kur Edi Rama do përpiqet t’i kthejë shqiptarët në zgjedhjet monopartiake.

Basha shtoi se aleanca qytetare me opozitën në krye është e vendosur të mbrojë demokracinë, rendin kushtetues, me argumentin se “konfirmimi është i qartë dhe i printuar e zezë mbi të bardhë në fletoren zyrtare të Republikës së Shqipërisë.”

loading...
loading...