VETTING APO POLIGRAF PËR POLITIKANËT? - ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA

VETTING APO POLIGRAF PËR POLITIKANËT? - ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vettingu (thënë shqip, sita) për gjyqtarët dhe prokurorët, synon të nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë ata persona që, ose janë të lidhur me krimin, ose nuk justifikojnë pasurinë familjare, ose nuk janë të aftë profesionalisht. Për dy të parat, verifikohen të dhënat nga burime të ndryshme, ndërsa për të fundit, analizohen dosjet dhe vendimet e secilit gjyqtar ose prokuror që kalon në sitë.

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një projektamendim kushtetues që, me pak fjalë, propozon vettingun për politikanët, të ngjashëm me atë për gjyqtarët/prokurorët. I vetmi ndryshim është se, PD-ja nuk kërkon verifikimin e aftësive profesionale të politikanëve. Dhe me të drejtë, sepse për to, janë votuesit që japin verdiktin.

Sidoqoftë, për verifikimin e lidhjeve me krimin ose të pasurive familjare të politikanëve, duhet shumë kohë e shumë shpenzime, siç po ilustrohet edhe nga procesi i vettingut të gjyqtarëve/prokurorëve. Për më tepër, është shumë e vështirë të ngrihet një komision hetimi ose apelimi për politikanët, i pavarur nga politika. Kush politikan mund të votojë pro një anëtari komisioni, për të cilin ka dyshimin se mund të japë viston për largimin e tij nga politika?!

Meqenëse kriteri profesional nuk bën pjesë në paketën e propozuar nga PD-ja për vettingun e politikanëve, ajo mund të propozojë një mekanizëm shumë më të thjeshtë e shumë me më pak kosto, për të kaluar në sitë politikanët. Quhet poligraf.

Pas botimit të një editoriali anonim në gazetën "Nju Jork Tajms", në të cilin një zyrtar i lartë i administratës Trump, e cilësonte presidentin si amoral dhe si një lider që merr vendime të nxituara e të paprincipta, zv.Presidenti Pence deklaroi publikisht se nuk ishte autori anonim i editorialit, dhe se ishte gati t'i nënshtrohej një testi në makinën poligraf – makina e së vërtetës. Këtë deklaratë e bëri, pasi u aludua në menia se ishte pikërisht ai autori anonim, ngaqë në të ishte përdorur një fjalë e rrallë, që e ka përdorur shpesh në shkrimet/fjalimet e tij.

Në qoftë se Pence e kalon testin e poligrafit, probabiliteti është 99% që ai nuk është autori i editorialit të sipërcituar. Vetëm agjentë specialë, super të trajnuar, janë në gjendje ta kalojnë testin poligraf, kur gënjejnë. Kështu, Aldrich Ames që kishte punuar 30 vjet për CIA-n, ishte rekrutuar në fund të karrierës nga KGB-ja, së cilës i kishte dhënë materiale shumë të ndjeshme (në përputhje me postin e lartë në CIA). Testet rutinë të poligrafit (që u bëhen çdo vit punonjësve të CIA-s), nuk arritën t'i zbulonin gënjeshtrat e tij, sepse ai kishte trajnuar vartësit si t'i shpëtonin një testi të tillë, nëse kapeshin nga rusët. (E ngjashme është edhe historia e veteranit të FBI-së, Robert Hanssen, disa vite pas Amesit).

Me pak fjalë, testi poligraf ka një përqindje shumë të ulët të rezultateve falsë negativë. Pra, në fare, fare pak raste, mund të qëllojë që testi të nxjerrë dikë si tregues të së vërtetës, kur ai gënjen. Dhe ç'është më e bukura, makina që shërben për kryerjen e testit është me kosto shumë të ulët – rreth 10 mijë euro.

Testi i poligrafit bazohet në matjen e disa treguesve fizikë, si rrahjet e zemrës, djersitja, temperatura e trupit, tensioni, etj., gjatë kohës që i testuari i përgjigjet pyetjeve me një "po" ose me një "jo" të prerë. Në baterinë e pyetjeve që i bëhen të testuarit, disave u dihet paraprakisht përgjigjja në mënyrë absolute. (Për shembull, "A e ke emrin Edi?"). Kur bëhen pyetje që s'u dihet paraprakisht përgjigjja, në qoftë se ka luhatje të treguesve të mësipërm, lind dyshimi se i testuari po gënjen. Dhe më tej, thellohet intervista.

Me 10 makina të tilla (dhe me 10 profesionistë që dinë t'i përdorin ato), vettingu i propozuar nga PD-ja për politikanët mund të mbarojë ndoshta për 10 ditë. Sepse ata nuk do të kalojnë në sitë për aftësitë e tyre profesionale (ndryshe nga gjyqtarët/prokurorët), gjë të cilën nuk e teston dot poligrafi. Testi i poligrafit vetëm mund të tregojë, nëse politikani i testuar ka lidhje me krimin ose nëse ai/familjarët kanë marrë të ardhura/pasuri të paligjshme.

Por a ka rrezik që i njomi të digjet me të thatin nga poligrafi?

Përqindja e rezultateve falsë pozitivë është relativisht e lartë për poligrafin (rreth 5%). Pra, në 5% të rasteve, dikush mund të thotë të vërtetën, por për faj të emocioneve, mund të regjistrojë luhatje të treguesve që mat makina e poligrafit. Pikërisht për këtë arsye, gjykatat në vendet perëndimore nuk e pranojnë testin e poligrafit si provë përfundimtare fajësie (dikush duhet të dënohet, vetëm kur provohet se është fajtor përtej çdo dyshimi të arsyeshëm).

Në rastin e politikanëve tanë, ata që nuk e kalojnë dot testin e poligrafit vetëm për pak pikë, mund t'i nënshtrohen një procedure apelimi. Së pari, mund të ritestohen në makinën poligraf dhe së dyti, mund të analizohen nga një komision apelimi, i përbërë nga anëtarë të komisioneve aktualë të vetingut, të përzgjedhur me short.

Në qoftë se PD-ja e ka seriozisht vettingun e politikanëve shqiptarë, le të propozojë atë që zv. presidenti amerikan propozoi për veten e tij – testin poligraf. Përndryshe, vettingu i stërzgjatur i politikanëve, me metodën aktuale, nuk jep shpresë se do të realizohet ndonjëherë. Ai mund të duket thjesht si një kartë elektorale e PD-së, të cilën makina propagandistike e qeverisë mund ta copëtojë dalëngadalë...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: