Vetting/ Monitoruesit ndërkombëtarë shkarkojnë gjyqtaren Brati. Kandidati për SPAK nuk jep intervistën

Vetting/ Monitoruesit ndërkombëtarë shkarkojnë gjyqtaren Brati. Kandidati për SPAK nuk jep intervistën
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra Gjyqtaren e Shkallës së Parë, Alma Brati, ndonëse ajo ishte konfirmuar në detyrë nga shkalla e parë.

Gjykatësja Alma Brati ishte konfirmuar më herët nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ose nga shkalla e parë e Vetting-ut.

Por pavarësisht vendimit të KPK-së, monitoruesit ndërkombëtarë, ose siç njihet ndryshe Komisioneri Publik nuk u bind dhe e apeloi vendimin.

Pas kërkesës së këtij të fundit, KPA rinisi hetimin administrativ ndaj Bratit dhe u paraqitën prova të reja shtesë, të cilat siç duket rezultuan ashtu siç kishte bindjen e tyre monitoruesit ndërkombëtarë.

Prandaj edhe KPA vendosi për të shkarkuar nga detyra gjyqtaren Brati.

Ndërkohë, mbi krijimin e organeve të reja ligjzbatuese, Prokurori Behar Dibra i cili konkurron për SPAK nuk u paraqit sot në intervistën me anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Dibra ka dërguar pranë KLP-së edhe një letër me arsyet e mos paraqitjes, që sipas tij është i angazhuar me një proces gjyqësor.

Ai ka kërkuar nga KLP që t’i caktohet një datë tjetër për të dhënë intervistën për vlerësimin e tij për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisi dje procesin e intervistimit të kandidatëve për Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Ditën e djeshme u intervistuan 4 kandidatët e parë.

loading...
loading...