Vetting/ Monitoruesit e huaj kërkojnë shkarkimin e tij, Zaganjori: Paraqita 10 dokumente shtesë

Vetting/ Monitoruesit e huaj kërkojnë shkarkimin e tij, Zaganjori: Paraqita 10 dokumente shtesë
Në të gjitha rastet, kur gjyqtarë apo prokurorë, e kanë kaluar me sukses shkallën e parë të Vetting-ut, por monitoruesit ndërkombëtarë nuk kanë qenë të bindur, pas apelimit në shkallën e dytë ata janë shkarkuar të gjithë.

A do të ketë të njëjtin fat edhe kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori?

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot seancën e paralajmëruar për kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të Zaganjorit, pasi nuk ishte i bindur me pasurinë e tij, ndonëse Zaganjori e kaloi shkallën e parë të Vetting.

Ky i fundit pas seancës së sotme tha se i ka paraqitur trupës gjykuese 10 dokumente shtesë dhe KPA pritet të vendosë nëse do t’i marrë në shqyrtim apo jo.

“Si në seancën e datës 25, edhe sot rreth të njëjtave argumente sillen pyetjet dhe përgjigjet. U përpoqa të jap më të mirën. Sot paraqita 10 dokumenta të reja krahas atyre 23 që paraqita herën e fundit. Trupa gjykuese u tërhoq për të vlerësuar  marrjen ose jo përsipër për të shqyrtuar dokumentet që dorëzova”, u shpreh Zaganjori.

Kjo është seanca e dytë ndaj Zaganjorit, pasi Komisioneri Publik, ose monitoruesit ndërkombëtarë,  ankimuan vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese.

KPA shqyrtoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin  e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankimimin.

Komisioneri Publik vlerësoi se bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, Xhezair Zaganjori, nuk arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.

Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit z. Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Zaganjori ishte konfirmuar korrikun e kaluar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Por sipas KPK-së, në deklarimet e bëra nga kreu i Gjykatës së Lartë kishte pasaktësi si dhe kishte shmangie të detyrimeve tatimore. Pas seancës së sotme, mbetet vendimi përfundimtar nëse do të shkarkohet apo Zaganjori do të jetë i pari, që triumfon pas apelimit, në procesin e Vetting-ut.

 

loading...
loading...