Si u zbulua droni me drogë dhe telefona celularë në Burgun e Shënkollit?

Si u zbulua droni me drogë dhe telefona celularë në Burgun e Shënkollit?
Droni i famshëm që fluturoi gjatë ndeshjes kualifikuese Euro 2016, mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, frymëzoi shqiptarët anembanë, madje edhe botën e krimit.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Burgjeve parandaluan dhe goditën një tentativë të futjes në ambientet e burgut të lëndëve narkotike dhe telefonave celularë me anë të dronit.

Burimet zyrtare raportojnë se dronit të sekuestruar  iu gjetën të lidhura 7 pako me canabis sativa dhe tre telefona celularë. Raportohet se janë arrestuar  në flagrancë tre shtetas , ku në mjetin e tyre u gjet telekomanda e dronit.

Në orët e vona të mbrëmjes, në rrethimin e jashtëm të burgut të Shënkollit , u konstatua se po fluturonte një dron, duke hyrë në zonën e ndaluar dhe menjëherë kanë njoftuar Policinë e Lezhës.

Në drejtim të burgut janë nisur forcat e FNSH të Shkodrës,  të cilat ishin me shërbim në Lezhë si dhe shërbimet e policisë së Lezhës së bashku me grupin hetimor dhe falë reagimit të tyre, edhe veprimeve të shpejta e profesionale u bë e mundur bllokimi i dronit në rrethin e dytë të jashtëm të burgut, ku gjatë këqyrjes në trup të dronit u gjetën të lidhura në një qese 7 pako me lëndë narkotike si dhe tre telefona celularë.

Policia e Lezhës dhe FNSH ka konstatuar dhe  bllokuar  një automjet ku brenda të cilit ndodheshin tre persona. Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi telekomandën e dronit që u sekuestrua brenda rrethimit të dytë të jashtëm të burgut, çanta ku futet droni, si dhe tre aparate të tjerë celularë. Më pas u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: M.V.,  28 vjeç  banues në fshatin Vrake, Malësi e Madhe, i dënuar më parë për vjedhje; Xh. K.,  25 vjeç,  banues në Shkodër dhe Xh.L.,   28  vjeç,  banues  në  Bajze, Malësi e  Madhe, Shkodër.

loading...
loading...