Shqipëria në solidaritet me Kosovën, bojkoton samitin e Bosnjës, Cakaj e Pacolli në një mëndje

Shqipëria në solidaritet me Kosovën, bojkoton samitin e Bosnjës, Cakaj e Pacolli në një mëndje
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte njoftuar se ishte ftuar të merrte pjesë në samit me një shënim shpjegues pranë emrit të Kosovës, në dallim nga shtetet e tjera dhe kjo ishte arsyeja që Kosova e refuzoi ftesën.

Gent Cakaj, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, me anë të një statusi në Twitter, ka bërë të ditur se edhe Shqipëria nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnje Hercegovina.

Cakaj argumentoi se trajtimi nga organizatorët në drejtim të Kosovës është i papranueshëm.

Ai shtoi se trajtimi ndaj Kosovës shkon kundër synimit për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet.

Ministri në Detyrë Cakaj shkruaj se nuk mund të ketë bashkëpunim pa trajtim të barabartë. “Qëndrojmë së bashku,” përfundon mesazhin e tij Cakaj.

Numri dy i qeverisë së Kosovës dhe njëkohësisht Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, reagoi po ashtu lidhur me këtë situatë:  

“Vetëm disa orë para fillimit të takimit në nivel ministror dhe Samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP) dhe pasi i kemi shtjerrur të gjitha mundësitë lidhur me pjesëmarrjen e shtetit tonë në këtë ngjarje kulmore politike rajonale, qëndrim i palëkundur i institucioneve të Republikës së Kosovës është që me kushtet ekzistuese neve na është pamundësuar përfaqësimi në Samit.

Mënyra se si është menduar të trajtohet delegacioni shtetëror i Kosovës është e papranueshme. Për më tepër, ajo i vë hije të keqe edhe Samitit të posapërfunduar të Poznanit në kuadër të Procesit të Berlinit, deklaratave dhe zotimeve të përbashkëta që i kemi bërë aty, por edhe angazhimeve të sinqerta dhe konstruktive që Kosova si shtet i bën në kuadër të nismave dhe organizatave rajonale. Për fat të keq ky vullnet i yni është keqkuptuar nga ana e kryesuesit aktual të Kryesisë së Bosnjë Hercegovinës ndërsa qytetarët tanë i siguroj se ne nuk bëjmë kompromise me të arriturat tona si shtet si dhe me perspektivën euroatlantike.

Si edhe gjithmonë, ne do të vazhdojmë ta japim kontributin tonë për zhvillimin e rajonit, gjë që sidomos është dëshmuar këtë vit kur po kryesojmë me tri nisma shumë të rëndësishme rajonale (Fondi i Ballkanit Perëndimor ËBF, Zyra rajonale për bashkëpunim të rinisë RYCO, dhe Nisma rajonale për migrim, azil dhe refugjatë MARRI). Njëjtë do të bëjmë edhe pas përfundimit të Samitit të SEECP në Sarajevë kur edhe do ta marrim kryesimin me këtë nismë. Ndërsa kur e dimë se SEECP është krijuar me qëllimin për forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon dhe integrimin e plotë të Europës Juglindore në strukturat euroatlantike kjo sjellje ndaj Kosovës si kryesuese e radhës nuk i bën nderë Bosnjë e Hercegovinës.”

 

loading...
loading...