“Lufta” brenda komunitetit mysliman në Tiranë, shkarkohet Myftiu Ylli Gurra

“Lufta” brenda komunitetit mysliman në Tiranë, shkarkohet Myftiu Ylli Gurra
Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i cili garoi për kreun e Komunitetit Mysliman pak ditë më parë, shkarkohet nga detyra që mbante dhe në vend të tij emërohet teologu Lauren Luli.

Vendimi është firmosur nga kryetari i ri i Komunitetit Mysliman Bujar Spahiu.

Ky vendim sipas tij, ka për qëllim të sjellë një frymë të re për Myftininë.

Gurra do të ushtrojë detyrën e këshilltarit në Komunitetin Mysliman. Ai ishte kandidat për kreun e Komunitetit dhe pas humbjes në garë me Bujar Spahiun hodhi akuza të forta se rivali i tij është pjesë e qarqeve gyleniste.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu zhvilloi një takim në selinë e Komunitetit Mysliman me imamët e xhamive të Tiranës, ku prezantoi myftiun e ri të Tiranës, z. Lauren Luli.

Gjatë takimit kreu i KMSH-së vuri theksin në dhënien e një impulsi të ri institucionit të myftinisë. Gjithashtu Spahiu vlerësoi punën dhe kontributet e deritanishme në këtë myftini.

Myftiu i ri i Tiranës, z. Lauren Luli është teolog. Ai ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Islame në Bursa të Turqisë dhe më pas masterin shkencor në Shkencat e Hadithit në KU Bedër, Tiranë. Ai ka ushtruar detyrën e tij si imam dhe myfti si dhe prej dy vitesh mbante postin e nënkryetarit të KMSH-së.

Sipas deklaratës për shtyp imamët e Myftinisë së Tiranës mirëpritën emërimin e z. Luli në këtë detyrë si edhe shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe çuar përpara shërbimin fetar në kryeqytetin e vendit.

Ish Myftiu i Tiranës z. Gurra tashmë mban postin e Këshilltarit të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ndërkohë ai ende nuk ka reaguar lidhur me shkarkimin dhe emërimin në një post tjetër.

loading...
loading...