Kur do të ngrihet për vendimet e para Gjykata e Lartë? Përgjigjen e jep drejtuesja e KLGJ-së

Kur do të ngrihet për vendimet e para Gjykata e Lartë? Përgjigjen e jep drejtuesja e KLGJ-së
Drejtuesja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, raportoi sot në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë e institucionit që ajo drejton.

Si përgjigje mbi shqetësimet e ngritura vazhdimisht sidomos nga politika, “Gjykata e Lartë do të jetë në shtator gati”, ka deklaruar sot ajo.

Drejtuesja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Llagami vuri theksin se gjyqësori në Shqipëri ndodhet në një situatë të vështirë, sepse procesi i “Vetting” largoi nga detyra shumë gjyqtarë dhe prokurorë.

“Kjo pyetje na ka shqetësuar që nga momenti i parë kur kemi shkuar në atë godinë. Mirëfunksionimi i gjyqësorit nuk është vetëm Gjykata e Lartë, por edhe mungesa e gjyqtarëve në qytete që janë shkarkuar shumë gjyqtarë dhe prokurorë nga vetingu”, tha ajo.

Më mirë me Gjykatë të Lartë funksionale dhe me gjyqtarë të korruptuar, apo pa gjykatë fare për një farë kohe, e me shpresë se Gjykata e Lartë që do pritet të ngrihet do të jetë ashtu siç e duan shumica dërrmuese e shqiptarëve dhe ashtu siç kërkojnë unanimisht ndërkombëtarët, parnerët strtegjikë të Shqipërisë, të cilët kanë investuar për të?

Llagami shtoi se duhet t’i garantojmë se ata që do shkojnë në Gjykatën e Lartë do të jenë emra profesionalë, ashtu siç i kërkonte kjo Reformë.

“Në sot jemi vetëdijshëm, që sistemi po vuan dhe është në një situatë të vështirë se një pjesë e gjyqtarëve po largohen, por nuk mund të lejojmë që të fusim në sistem njerëz të paverifikuar. Kemi hartuar dy projekt rregullore që kanë krijuar një standard, kandidatët do t’i nënshtrohen një procedure transparente për figurën e tyre. Në shtator do të jemi gati që të kemi vendimet e para të kësaj Gjykate”, tha Llagami.

Po ashtu Llagami tha se moskrijimi i KLGJ-së brenda afateve krijoi probleme në sistemin e drejtësisë.

Vlerësohet se janë mbi 30 mijë dosje ende në pritje për t’u marrë në shqyrtim, por për shkak të procesit “Vetting” dhe faktit që Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese u shkrinë thuajse tërësisht, numri i tyre po shkon gjithnjë e në rritje. Edhe kur gjykatat ishin funksionale, dosjet e akumuluara shfaqnin të njëjtën problematikë, pa llogaritur cilësinë e gjykimit të tyre.

Interesant është fakti se dosjet për politikanët dhe zyrtarët e lartë janë shqyrtuar me shpejtësi dhe thuajse në të gjitha rastet nga Gjykata e Lartë, apo më poshtë, dhe ato janë mbyllur thuajse në të gjitha rastet gjatë dy dekadave të fundit me pafajësinë e tyre.

loading...
loading...