Basha thirrje për 8 korrikun. Kryemadhi: Rama e Veliaj pengmarrës të vendit (mesazhi i priftit me 10 urdhrat e Zotit)

Basha thirrje për 8 korrikun. Kryemadhi: Rama e Veliaj pengmarrës të vendit (mesazhi i priftit me 10 urdhrat e Zotit)
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nëpërmjet një postimi në Facebook ftoi qytetarët që nesër t’i bashkohen protestës së radhës, asaj kombëtare që do të mbahet në Tiranë.

Ftesa që Basha iu bën shqiptarëve është bashkimi në protestë për të rrëzuar qeverinë Rama. Thirrjen shefi i selisë blu e ka shoqëruar me një video.

“Nesër me 8 korrik në orën 20:00, bashkohemi të gjithë në Tiranë si njerëz të lirë me dinjitet, prindër, motra, vëllezër, bij e bija shqiptarësh kurajozë, të gjithë bashkë kundër diktaturës së krimit, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit, për familjet dhe fëmijët tuaj, për #ShqipëriaSiEuropa! Asnjë hap pas! #RamaIk”, shkruan Basha.

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi para simpatizantëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në njësisë numër 5 në Tiranë tha se Rama dhe Veliaj kanë marrë peng vendin më keq se ata që e morën në komunizëm për 45 vjet.

““30 Qershori është fundi politik i Edi Ramës për të gjithë ata ndërkombëtarë që nuk kishin sy për ta parë, që nuk kishin veshë për ta dëgjuar dhe nuk kishin gojë për të folur”, theksoi ndër të tjera Kryemadhi, gjatë mesazheve që opozita po i jep elektoratit të saj për protestën e nesërme.

“Është fundi i Edi Ramës për të gjithë ata skeptikë të cilët mendonin që Edi Rama ishte shumica por 30 Qershori tregoi që Edi Rama është minorancë e minorancës” shtoi Kryemadhi.

Monika Kryemadhi tha se nuk ka superfuqi në botë që ndal popullin e revoltuar.

“Nëse ky shtet dhe ky popull do të vazhdojë të jetë peng i përgjimeve të krimit të organizuar, do të vazhdojë të jetë peng i njerëzve të cilët kërkojnë të pasurohen mbi varfërinë e shqiptarëve, atëherë ne nuk na mbetet më gjë tjetër përveç se të përballemi me ta. Sot do të përballemi me vepra demokratike, do të përballemi me rezistencë demokratike, do të përballemi me reagim demokratik. Por më pas do të jetë shumë e vështirë për Edi Ramën, sepse një popull i revoltuar dhe më pas një popull i inatosur është i pa përballueshëm për ta ndalur. Nuk ka superfuqi në botë që e ndal, por përkundrazi do të jetë aq i rrezikshëm saqë do të marrë përpara këdo që bëhet palë me një kriminel që shkatërron të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve.”

Lidhur me zgjedhjet apo votimet e fundit të 30 qershorit,kryetarja e LSI shtoi se “nuk ka rëndësi fare për mua e ka parë apo se ka parë OSBE-ja apo vëzhguesit e ambasadave në Shqipëri. Për mua ajo që është më e rëndësishmja, është që qytetarët e njësisë 5 i thanë “JO” Lali Erit, që u rropat e u copëtua duke nxjerrë para për të paguar këdo dhe që i thanë “JO” Edi Ramës.”

Ajo për herë të parë ka lëshuar akuza edhe ndaj kryebashkiakut të Tiranës.

“Kjo dyshe e cila ka marrë peng qytetin e Tiranës është shumë më e rrezikshme se 45 vitet e komunizmit. Është më e rrezikshme se çdo pushtim tjetër. Sepse një plum i pushtuesit na kthente në heronj, por një plumb virtual i kësaj dysheje kriminale do të na shkatërrojë dhe do të na bëjë inekzistent në vend. Prandaj beteja jonë nuk është më për flamujt politik, beteja jonë është për të ardhmen e Shqipërisë, për vazhdimësinë e Shqipërisë dhe për të thënë atë që kemi thënë gjithmonë, ky popull i shqiponjave do të vazhdojë të jetojë krenar, me integritet dhe me dinjitet, në mes të këtij Ballkani të trazuar, që gjithmonë ka qenë kundër nesh. Ne kemi mbijetuar, jemi popull i vogël, jemi popull i varfër, jemi popull i vuajtur. Kemi dhe ne gabimet tona, por di të them që shpirtin dhe zemrën e këtij populli as nuk e shet dhe as nuk e blen dot.”

 

“Zoti ju ruajttë ju, ruajt familjet tuaja. Zoti i ruajttë shqiptarët kudo që janë. Me thënë të drejtën do doja t’iu lexoja diçka. Ju e dini të gjithë, unë jam besimtare. Kjo është ajo që mesa duket e vret shumë zotin Rama në të gjithë këtë betejë, sepse dreqi ka frikë nga Zoti. Nuk ka frikë njeriu nga Zoti, nuk ka frikë shërbëtori i Zotit, apo edhe ateisti, se fundja Zoti i pranon edhe mëkatarët. Por vetëm dreqi ka frikë nga Zoti. Dhe në fakt prifti im më dërgoi një mesazh para disa orësh. Dhe ishte shumë interesant. Saimir Xhuglini edhe do kënaqet. Dhe për të gjithë komunistët, sepse kanë qenë 10 urdhrat e Zotit, që i kanë edhe në Kuran edhe në Bibël. Por kanë qenë edhe 10 cilësitë e komunistit. Jo më kot edhe Enver Hoxha që ishte ateist që shkatërroi Kisha e Xhami, i ktheu 10 urdhrat e Zotit në 10 cilësi komunisti. Dhe në fakt Zoti thotë:

“Unë jam hyi juaj

tjetër hy mos të kesh e mos

të adhurosh përveç meje”

Ama ne këto duhet ti shikojmë si politikanë.

“Populli është Zoti yt

Asnjë interes mos e ve përpara tij

Mos e merr emrin e Zotit nëpër gojë

Për politikanin mos fol gënjeshtra në emër të popullit

Për të mbuluar hilet e tua

Shenjtëroje ditën e dielë

në ditën e festës së urdhëruar

për politikanin çdo festë e popullit tënd

të jetë e shenjtë dhe e nderuar dhe prej teje

Si politikan

Nderoje prindin tënd nëse do të jetosh

shumë përmbi tokë.

Për politikanin, nderoji figurat e kombit

nëse dëshiron të ndërtosh një të ardhme

me rrënjë të forta nga e shkuara e ndritur

Urdhëresa, mos vra

Mos vrit për interesat e tua për një politikan

Mos bëj imoralitet

Mos ji i pamoralshëm me veset e tua si politikan

Mos vidh, mos e vidh popullin tënd,

as për pasurinë dhe as për lirinë

Mos bëj dëshmi të rreme thotë Zoti

Mos shpif vetëm për hatër të karriges tënde

Sepse dëshmitari i çdo gjëje është populli

që ti sheh dhe Zoti që ti nuk e sheh

Mos lakmo njeriun e huaj për të keq

Për politikanin është, mos ji ziliqar për tjetrin,

duke mos e lënë të ecë përpara, nëse tjetri

është më i mirë se ty dhe populli e do më shumë se ty.

Mos lakmo asgjë të tjetrit

Për politikanin është,

Mos ji ziliqar për të mirat materiale që ka tjetri sepse

Zoti i jep secilit atë që meriton dhe që i duhet.

Kur ma dërgoi e lexova dhe nuk përmbahesha dot. Se mos mendoni që jam Kryetare dhe jam diçka më shumë se ju. Jo jam njësoj si ju, kam po të njëjtat probleme si ju, po të njëjtat halle, me fëmijët, në shtëpi, në katandi, dikush mezi e mbyll 15 ditëshin, diku 25 ditëshin, diku dhe fundit e muaj. Kemi vetëm një shpëtim, të kthejmë politikën dhe të kthejmë shoqërinë shqiptare brenda kornizës së parimeve, virtyteve dhe vlerave. Të kthejmë besimin në familje. Sepse vetëm duke pasur një familje të fortë, do kemi një shoqëri të fortë dhe duke pasur një shoqëri të fortë, do të kemi dhe një shtet të fortë dhe një komb të fortë. Vetëm në këtë mënyrë ne mund ti bëjmë ballë këtij represioni, këtij imoraliteti politik, ekonomik dhe kriminal që ka pllakosur Shqipërinë. Vetëm solidariteti unë do të na bëjë që siç thamë ato 10 urdhrat e Moisiut dhe Kuranit apo dhe 10 cilësitë e komunistit do të jenë 10 cilësitë e politikanit, por dhe le të jenë 10 cilësitë e çdo qytetari për të krijuar një moral të ri në shoqërinë shqiptare dhe për ti thënë fund këtij tranzicioni kriminal që po mban peng Shqipërinë prej 30 vjetëve”, tha ndër të tjera Monika Kryemadhi.

 

loading...
loading...