Zgjedhjet e 30 qershorit, ambasada amerikane: Nxisim udhëheqësit të refuzojnë çdo akt dhune

Zgjedhjet e 30 qershorit, ambasada amerikane: Nxisim udhëheqësit të refuzojnë çdo akt dhune
Teksa na ndajnë dy ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, Ambasada Amerikane në vendin tonë ka dalë me një deklarata, ku bën thirrje për zgjedhje të qeta dhe transparente. Ndërsa palët politike- thotë ambasada- të refuzojnë të gjitha llojet e dhunës.

"Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i bën thirrje të gjithë udhëheqësve politikë, zyrtarëve të qeverisë, agjencive të sigurisë dhe qytetarëve shqiptarë që të sigurohen që zgjedhjet e 30 qershorit të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe transparente. Ne nxisim udhëheqësit politikë të refuzojnë çdo dhe të gjitha llojet e dhunës, apo çdo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar. Dhuna nuk është një mënyrë legjitime e të shprehurit politik. Ata që përfshihen në akte dhune duhen hetuar me të gjithë fuqinë e ligjit."

Shtetet e Bashkuara do të kenë ekipe vëzhguesish në qendrat e votimit dhe qendrat e numërimit në mbarë Shqipërinë. Ambasada thotë se do të mbështetet në raportin e OSBE/ODIHR-it për të vlerësuar rregullsinë e votimit.

Ambasada shprehet se pas 30 qershorit udhëheqësit politike duhet të ecin përpara në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

"Ne nxisim udhëheqësit politikë që, pas zgjedhjeve të së dielës, të rikthejnë vëmendjen e tyre në forcimin e institucioneve demokratike shqiptare dhe zbatimin e ligjit, përfshirë edhe ecjen përpara me ngritjen e një Gjykate Kushtetuese të drejtuar nga gjykatës të cilët e kanë kaluar vetingun. Miratimi i reformave zgjedhore dhe zbatimi i reformës në drejtësi janë thelbësore për aspiratat europiane të Shqipërisë dhe për ngritjen e demokracisë së fortë që i shërben të gjithë shqiptarëve."

 

loading...
loading...