Zërat për një marrëveshje të fshehtë me Ramë, Basha sqaron demokratët

Zërat për një marrëveshje të fshehtë me Ramë, Basha sqaron demokratët
Pas mbledhjes me dyer të mbyllura të Këshillit Kombëtar të PD, kryeopozitari Basha ka përgënjeshtruar zërat për një marrëveshje të fshehtë mes tij dhe kryeministrit Rama.

Sipas Bashës Rama i përdor dezinformimin dhe thashethemet politike për të ngjallur dyshime dhe pasiguri.

“Nuk ka asnjë negociatë me Edi Ramën. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me Edi Ramën. Nuk ka as ndërmjetës dhe as kanale të fshehta mes meje dhe Edi Ramës.”-tha Basha në mbledhjen e forumit më të lartë politik vendimmarrës në PD.

“Ka dy gjëra që duhet t’i dini qartësisht.

  1. Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm i yni. Kjo nuk ka ndryshuar.
  2. Dalja para drejtësisë e të gjithë atyre që vodhën votat tona, votat e shqiptarëve është kusht i panegociueshëm”, mësohet të ketë thënë Basha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Duke theksuar këto dy pika që qëndrojnë në themel të kërkesave të opozitës, Basha u kërkoi anëtarëve të Këshillit Kombëtar të sqarojnë çdo demokrat dhe çdo qytetar që të mos bien pre e propagandës së Edi Ramës.

“Ne nuk dolëm nga Kuvendi për të bërë pazar. Ne nuk bojkotuam zgjedhjet lokale për të bërë pazar. Ne nuk kemi shpallur largimin e Ramës për t’u ulur me të në tavolinë. Do të ishte cmenduri dhe nuk do të sillte asgjë të mirë për vendin”, tha kryetari I PD, Lulzim Basha.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

loading...
loading...