Vetingu vijon “korrjet”/Shkarkohen nga detyra kreu i Gjykatës së Tiranës dhe ai i Apelit Shkodër

Vetingu vijon “korrjet”/Shkarkohen nga detyra kreu i Gjykatës së Tiranës dhe ai i Apelit Shkodër
Reforma në Drejtësi, ashtu siç nisi, vazhdon të ndëshkojë një e nga një shumicën dërrmuese të drejtuesve të lartë të gjykatave dhe prokurorisë në vend.

Procesi i Vetingut shkarkoi sot nga detyra dy drejtues të lartë të sistemit gjyqësor, pikërisht kreun e Gjykatës së Tiranës dhe atë të Gjykatës së Apelit Shkodër.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit  shkarkoi nga detyra kryetaren e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar më 5 qershor, nga komisioni i verifikimeve u evidentuan mungesë burimesh financiare për disa vite si edhe paqartësi në deklarimin e një kredie dhe kërkesën për shtesën e një prone. Nga hetimi administrativ nuk u identifikuan probleme për pastërtinë e figurës dhe profesionalizimin. Treshja gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që përbëhej nga Olsi Komici kryesues, Roland Ilia relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare, duke iu referuar edhe raportit të Inspektoratit të Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, nënvizoi se gjyqtarja Hajro ka kryer pasaktësi në mos deklarimin e kërkesës për legalizimin e një prone.

Gjatë dhe pas  vendimit, Kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro nuk preferoi të jepte shpjegime, duke pohuar se u qëndronte atyre që kishte paraqitur me shkrim.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi po sot nga detyra edhe kryetarin e Gjykatës së Apelit në Shkodër, Fuat Vjerdha. Ai ishte njëri nga dy gjyqtarët që votuan pjesërisht kundër ndryshimit të vendimit për Dritan Dajtin, duke e shpëtuar këtë të fundit nga dënimi me burg për jetë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duhet të njoftonte të mërkurën vendimin e për Kryetarin e Gjykatës së Apelit në Shkodër Fuat Vjerdha por u shty për sot për shkak se KPK rihapi hetimet për gjyqtarin.

Denoncimet mbi uljen e dënimit të një çifti të akuzuar për mashtrim në shuma të mëdha dhe pafajësia për dy zyrtarë të akuzuar për shpërdorim detyre, u konsideruan ndër problemet kryesore me të cilat u përball gjatë seancës dëgjimore kreu i gjykatës së Apelit, Shkodër.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u shpreh se Vjerdha nuk kishte probleme të mëdha sa i përket kriterit të pasurisë dhe apo atë të figurës, por çalonte në aspektin profesional.

Seanca dëgjimore ndaj Vjerdhës u kryesua nga Olsi Komici, anëtare Pamela Qirko dhe relator Lulzim Hamitaj.

loading...
loading...