Shkarkimi i Metës në Kuvend, nis mbledhja e votave nga socialistët

Shkarkimi i Metës në Kuvend, nis mbledhja e votave nga socialistët
Socialistët kanë nisur menjëherë me mbledhjen e firmave për shkarkimin nga detyra të presidentit Ilir Meta.

Për kërkesën zyrtare që do t'i niset Kuvendit, kërkohen 35 firma nga deputetët, çka shihet e realizueshme brenda pak orëve.

Por ajo që e ndërlikon shkarkimin e Presidentit të Republikës, sipas Kushtetutës, është numri 93 i deputetëve që duhet të votojnë pro kërkesës, pra 2/3 e parlamentit, numër të cilin maxhoranca qeverisëse nuk e ka. Për këtë nevojiten edhe votat e deputetëve të rinj të opozitës.

Shkarkimi i presidentit Meta pas dekretit të tij, për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, veprim që për PS-në është konsideruar shkelje e rëndë kushtetuese, komplikohet edhe më tepër, pasi kërkohet që vendimi i Kuvendit të aprovohet pikërisht nga Gjykata Kushtetuese, e cila është aktualisht inekzistente.

Gjithsesi, firmat e para janë mbledhur nga deputetët socialistë, të pranishëm në Komisionin e Ligjeve.

Partia Socialiste, pas mbledhjes së Kryesisë, zyrtarizoi qëndrimin e saj karshi presidentit Meta, duke paralajmëruar se do të nisë me procedurat për shkarkimin e tij që të enjten, në seancën e radhës plenare të Kuvendit.

loading...
loading...