Rudina Hajdari: Besoj se Meta e di që e ka shkelur Kushtetutën (i kemi numrat për shkarkimin... por)

Rudina Hajdari: Besoj se Meta e di që e ka shkelur Kushtetutën (i kemi numrat për shkarkimin... por)
Rudina Hajdari, deputetja që drejton grupin parlamentar Demokrat, ose siç njihet ndryshe opozita e re, tha se në seancën e së enjtes nga Kuvendi nuk do të ketë një mocion për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, por thjesht një mocion për debat, mbi mundësinë e shkarkimit të tij.

Në emisionin “Dita Jonë” A2, deputetja Rudina Hajdari u pyet nëse do të votonte shkarkimin e Presidentit Meta, duke qenë se gjithçka varet nga votat e grupit parlamentar që drejtohet prej saj.

Hajdari theksoi se edhe grupi parlamentar që ajo drejton ka mundësinë për propozimin e shkarkimit të presidentit, por çështja sipas saj, nuk është kjo.

“Unë shikoj se Presidenti nuk është i fiksuar nga kjo gjë. Madje, unë shoh një taktikë politike, gati në viktimizim.”

“Dëgjoni se unë po shkarkohem se po bëj një akt për Shqipërinë dhe të tjera.”

“Unë mendoj se duhet t’i ulim këto lloj tonesh dhe të mos bëjmë populizëm. Ne mund ta propozojmë edhe vetë shkarkimin e Metës, i kemi 35 deputetë.”

“Çështja nuk është do të votojmë apo jo, ne do ta shohim çështjen hap pas hapi. Unë besoj se edhe vetë zoti Meta e di që ka shkelur Kushtetutën.”

“Ai e di shumë mirë që i ka shkelur kompetencat e tij. Presidenti është në një situatë shumë të vështirë. Unë do të doja që Presidenti të kishte pasur më shumë përpjekje, thirrje konkrete, për Gjykatën Kushtetuese, reformën zgjedhore dhe datën, të cilën ka për detyrë ta caktojë”, tha Rudina Hajdari.

Për “shkelje të rëndë” të Kushtetutës siç e konsideroi PS-ja vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, është paralajmëruar edhe shkarkimi i Presidentit Meta, por edhe nëse i shkon në fund këtij paralajmërimi, do të nevojitet një kohë e gjatë.

Pas debatit të parashikuar nesër në Kuvend, për shkarkimin e Presidentit duhet të ngrihet një Komision Hetimor që do të vërtetojë shkeljet. Parashikohet që të përballet edhe Presidenti me të, e më pas të propozohet në Kuvend shkarkimi, që kërkon të paktën votat e 94 deputetëtve. Edhe nëse Kuvendi me 94 vota do të votojë shkarkimin e Metës, që siç edhe Rudina Hajdari pranoi se ai e ka shkelur Kushtetutën, do të duhet në fund që të shprehet edhe Gjykata Kushtetuese, e cila ende nuk është ngritur pas shpërbërjes.

loading...
loading...