Meta ftesë partive për bisedime. A do pranojë PS-ja një datë tjetër zgjedhjesh lokale?

Meta ftesë partive për bisedime. A do pranojë PS-ja një datë tjetër zgjedhjesh lokale?
Një ditë më parë kjo foto është shpërndarë nga vetë Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili pas vendimit për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30-qershorit, pritet të angazhohet për gjetjen e një zgjidhjeje, për të dekretuar një datë tjetër, me të cilën mund të pajtohen të gjitha palët.  

Presidenti Ilir Meta pritet të nisë sot konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së re të zgjedhjeve, pak ditë pas dekretit për anulimin e tyre. Takimet e para do të zhvillohen pasditen e sotme, në ora 19:00 me krerët e partive të Grupimit të Qendrës së Djathtë”.

Takimet do të nisin  pas vizitës që Meta do të ketë sot në Kosovë. Presidenti i Republikës është ftuar të marrë pjesë në festimet e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Por sa e lehtë do të jetë gjetja e një konsensusi me mazhorancën qeverisëse, që vazhdon fushatën për zgjedhjet lokale të 30-qershorit, pavarësisht dekretit të Metës për anulimin e tyre.

Madje PS-ja përmes një mocioni i është drejtuar Kuvendit për të nisur që këtë të enjte me procedurat e shkarkimit të Presidentit Meta, me pretendimin se është “shkelur rëndë” prej tij Kushtetuta, lidhur me dekretin e anulimit të zgjedhjeve lokale pa përcaktuar asnjë datë tjetër.

Faktori ndërkombëtar ende nuk është shprehur i vendosur, duke ia lënë në dorë zgjidhjen klasës politike ndonëse ka anuar që zgjedhjet e 30-qershorit të mbahen në ditën e caktuar .

Gjithsesi, lëvizjet e para pritet të bisedimeve pritet të zhvillohen pas kthimit të Metës nga Prishtina.

Gjatë udhëtimit për në Kosovë, kreu i shtetit ka ndaluar në qytetin e Kukësit, vendi mikpritës për shumë shqiptarë të Kosovës, gjatë luftës së 20 viteve më parë. Gjatë ndalesës, Meta tregoi se ka kafen e mëngjesit me gazetarin Beik Bici, i cili 20 vjet më parë ai ishte vetëm 6 vjeç, kur qyteti i tij u bë për ditë e javë të tëra qendër e mediave botërore që dëshmonin, jo vetëm një nga tragjeditë më të mëdha njerëzore që po ndodhte në Europë, por edhe një nga kryeveprat e humanizmit njerëzor që njohu bota.  “Krenar për Kukësin dhe ato javë të paharrueshme që përjetova mes kukësianëve patriotë, bujare e fisnikë si ata”, nënvizoi Meta.

loading...
loading...