Meta: Anulimi i zgjedhjeve, emergjent për të parandaluar destabilizimin e rëndë të vendit

Meta: Anulimi i zgjedhjeve, emergjent për të parandaluar destabilizimin e rëndë të vendit
Presidenti Ilir Meta, në një konferencë të jashtëzakonshme firmosi sot dekretin për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, duke parashtruar edhe arsyet e këtij vendimi.

Kreu i Shtetit e quajti këtë vendim si mjet emergjent për të zgjidhur krizën në të cilën ndodhemi, dhe sipas tij, Presidenti që përfaqëson unitetin e popullit, nuk mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve që mund të shndërroheshin në një betejë force mes mbështetësve të dy palëve, apo një betejë mes qytetarëve dhe forcave të zbatimit të ligjit.

Meta ftoi aktorët vendas dhe ndërkombëtarë që të angazhohen për zgjidhjen e krizës. Data e re e zgjedhjeve lokale do të vijë pas arritjes së një konsensusi mes forcave politike.

“I bindur se kjo vendimmarrje është mënyra e vetme përz gjidhjen e krizës ku ndodhet vendi,” Meta tha se “Do të ishte e pamoralshme që si vend që pritet të kryesojë OSBE-në ti paraprijë me shembullin  më të keq të cënimit të pluralizimit dhe zgjedhjeve farsë.”

Zhvillimi i zgjedhjeve pa garë dhe pa opozitën do të shënonte ngrirjen e procesit të integrimit të vendit në BE dhe do të minonte çdo mundësi për çeljen e negociatave  si dhe do të dëmtonte imazhin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s”, nënvizoi ndër të tjera Presidenti i Republikës.

Në protestat e zhvilluara deri më tani nga opozita, Meta tha se “janë vërejtur elementë të dhunës ndaj forcave të rendit apo pronës publike,” ndërkohë që sipas tij, “edhe nga forcat e zbatimit të ligjit janë përdorur mjete, teknika dhe reagime në disa raste jo proporcionale.”

Rreziku i ndonjë përplasjeje duhet të ndalohet me mjete kushtetuese, “ku padyshim përfshihet dhe anulimi i datës së zgjedhjeve”, theksoi Ilir Meta.

Pavarësisht pretendimeve të maxhorancës se vendimi i tij është antikushtetues, Presidenti nënvizoi se. “Nuk krijohet vakum funksional në organet vendore deri në zhvillimin e zgjedhjeve në një datë tjetër.”

“Presidenti është i organi i vetëm kushtetues që cakton datën e zgjedhjeve. Sipas kushtetues pa patur një datë të caktuar nga presidenti zgjedhjet e përgjithshme apo ato vendore nuk mund të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë”, nënvizoi Meta.

“Kurrsesi data e zgjedhjeve nuk mund të jetë ditë përçarëse.”

“Ekziston rreziku real që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm që mund të shkaktojë pasoja të paparashikueshme. Është rrezik për paqen në vend”, shtoi ai.

Presidenti argumentoi se, “Zhvillimi i zgjedhjeve pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës cënon disa parime kushtetuese. Ky proces zgjedhor është fiktiv dhe është farsë dhe standardet jo vetëm që nuk përmbushen por shkelen. Këto zgjedhje nuk përmbushin qëllimin e tyre të ligjshëm. Anulimi nënkupton shtyrjen e tyre për një datë tjetër duke garantuar shtyrjen e afatit për një rast tjetër që garanton.”

“Anulimi i zgjedhjeve,”  theksoi Meta, - është mjeti i vetëm emergjent për zgjidhjen e krizë dhe parandalimin e destabilitetit.”

“Shqipëria po kalon një krizë të rëndë kushtetuese e cila evidentohet qartë me faktin se prej më shumë se një viti Republika e Shqipërisë nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Për ta rënduar edhe më shumë këtë gjendje Gjykata e Lartë ka dalë jashtë funksionit të saj”, argumentoi Presidenti mbi dekretinpër anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit .

Presidenti Ilir Meta e mbylli arsyetimin për dekretin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, duke formuar simbolin e shqiponjën dykrenore.

loading...
loading...