Mblidhet Kryesia e PS-së, Spiropali: Të enjten Kuvendi vendos për shkarkimin e Ilir Metës

Mblidhet Kryesia e PS-së, Spiropali: Të enjten Kuvendi vendos për shkarkimin e Ilir Metës
Ashtu siç kishte paralajmëruar Kryeministri Edi Rama, Partia Socialiste do të nisë të enjten procedurat për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.

Vendimin PS-ja, partia që qeveris e vetme vendin prej dy vitesh, e mori në mbledhjen e sotme të Kryesisë, në prani edhe të Kryeministrit Rama.

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, u panë të largoheshin së bashku, pas mbledhjes së sotme.

Elisa Spiropali, gjithashtu, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, pas mbledhjes tha se kryesia vendosi që të enjten Kuvendi të zhvillojë një debat, për “argumentat sesi Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës, në asnjë Kushtetutë dhe aq më pak të quajtur ç’dekretim”.

Sekretarja për bashkëqeverisjen dhe aleancat në PS, Elisa Spiropali, njëkohësisht dhe anëtare kryesie shtoi se pavarësisht dekretit të Metës për anulimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve, më 30 qershor do të ketë zgjedhje. “Ne si Kryesi e PS-së mendojmë që Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion dhe sigurisht parlamenti i Shqipërisë do të fillojë procedurën e shkarkimit të Ilir Metës nga pozicioni i Presidentit të Republikës”, - u shpreh Spiropali.

Kuvendi i Shqipërisë mund ta shkarkojë Presidentin e Republikës, bazuar në Kushtetutë kur vërehen shkelje të rënda prej tij, me 2/3 e votave apo e llogaritur ndryshe me votat e 94 deputetëve. Kjo do të thotë se në debatin e së enjtes, PS-së do t’i nevojiten edhe votat e deputetëve të rinj, që u futën në Kuvend për të zëvendësuar opozitën e larguar. Megjithatë, edhe në rast së plotësohen votat dhe votohet për shkarkimin e Presidentit nga Kuvendi, kërkohet që vendimi të vuloset nga Gjykata Kushtetuese, e cila siç dihet, prej kohësh është “shkrirë” prej procesit të Vetingut.

“Do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese në fund ashtu si ligjin e  parashikon, por kjo nuk na heq ne të drejtën për të filluar shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Më 30 qershor do të kemi zgjedhje,” – u shpreh e bindur Spiropali, pas mbledhjes së kryesisë së PS-së.

Kryesia e PS-së mori edhe vendimin për kalimin e 7 milion lekëve të reja nga fondi i fushatës për banorët e dëmtuar nga tërmeti në qarkun e Korçës.

loading...
loading...