Kuvendi, planifikohen pesë orë debat për dekretin e Metës (llogaritë e shkarkimit të Presidentit)

Kuvendi, planifikohen pesë orë debat për dekretin e Metës (llogaritë e shkarkimit të Presidentit)
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, mbajtur sot në kryesinë e Kuvendit, mori edhe vendimet përkatëse lidhur me seancën plenare të së enjtes, ku do të diskutohet për pesë orë dekreti i Presidentit Ilir Meta, i cili anuloi zyrtarisht dje zgjedhjet lokale të 30-qershorit.

Vendimi është marrë në Konferencën e Kryetarëve përmes konsensusit mes mazhorancës dhe përfaqësuesve të Opozitës, të cilët zëvendësuan deputetët e larguar të dy partive kryesore opozitare, PD e LSI.

Dekreti i Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit do të jetë pika e parë e rendit të ditës.

PS-ja në pushtet dhe në kohë fushate e konsideroi dekretin e Presidentit Meta, si shkelje të rëndë kushtetuese, duke paralajmëruar shkarkimin e tij në Kuvend.

Sipas mazhorancës, bazuar në Kushtetutë, Presidenti nuk ka të drejtë të anulojë dekretin e mbajtjes së zgjedhjeve, duke mos përcaktuar asnjë datë për mbajtjen e tyre, dhe për këtë “shkelje të rëndë” që e quajti partia qeverisëse, paralajmërohet shkarkimi i Ilir Metës në Kuvend, ndonëse afatet që kërkon shkarkimi dhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese e bëjnë procesin tepër të ndërlikuar e të vështirë.

PS i ka mbledhur firmat e 35 deputetëve për mocionin me debat të së enjtes, madje ka llogaritur edhe votat e nevojshme, 94, ose 2/3 e Kuvendit, për shkarkimin e Presidentit Meta.

Debati do jetë pika e parë e rendit të ditës dhe do të zgjasë pesë orë mes grupeve parlamentare.

Kërkesa u miratua me konsensus mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës së re parlamentare.

loading...
loading...