Ish-sulmuesi i Skënderbeut merr ftesë nga Kombëtarja e Hong Kongut

Ish-sulmuesi i Skënderbeut merr ftesë nga Kombëtarja e Hong Kongut
Ish-sulmuesi i Skënderbeut, në moshën 30-vjeçare, është kandidat për t’u bërë pjesë e përfaqësueses së Hong Kongut.

Braziliani Diego Martins, në sezonin 2014-2015, ishte pjesë e skuadrës e cila fitoi mes një rivaliteti të ndezur titullin kampion para Kukësit dhe Partizanit e më pas atë verë arriti të realizonte për herë të parë kualifikimin historik në Ligën e Europës.

Martins luajti 29 ndeshje e shënoi 7 gola me fanellën e korçarëve para se të largohej drejt Keshla në Azerbajxhan.

Sulmuesi kishte luajtur me parë tre vite në Hong Kong dhe u kthye atje pas pak muajsh në Azerbajxhan, duke luajtur rregullisht me skuadrat në këtë vend.

Tani atij i janë bërë në total 7 vite në Hong Kong e me sa duket kjo i jep mundësinë që të bëhet pjesë e përfaqësueses së këtij vendi. “Pas një stërvitje erdhi e më kërkoi trajneri i përfaqësueses e më tha që mund të ndihmoja ekipin kombëtar”, shpjegoi Martins për mediat e vendit të tij, duke pranuar se ishte shumë i interesuar për të provuar në moshën 30-vjeçare fanellën e një kombëtareje.

Megjithatë, eksperienca e tij e shkurtër në Europë ku triumfi në Superiore cilësohet si më i rëndësishmi i karrierës së tij, mund t’i prishë punë. Kjo pasi rregullat thonë që ai duhet të ketë banuar për 7 vite radhazi në Hong Kong dhe Martins u shkëput për dy vitet e tij në kontinentin tonë.

Megjithatë, duket se Federata e Hong Kongut po merr përsipër të sistemojë anën burokratike e se shpejti ish-sulmuesi i Skënderbeut pritet të zbresë në fushën e lojës si një lojtar i denjë i Hong Kongut. Nuk do të ishte diçka e re për këtë kombëtare, e cila në radhët e saj ka lojtarë nga Anglia, Brazili, Nigeria apo Spanja, të gjithë të natyralizuar si vendas.

loading...
loading...