I rikthyer pas një viti, Odise Roshi: Ndihem mirë, kur njerëzit më thonë se i sjell fat Kombëtares

I rikthyer pas një viti, Odise Roshi: Ndihem mirë, kur njerëzit më thonë se i sjell fat Kombëtares
Odise Roshi, mesfushori kuqezi i rikthyer pas një periudhe të gjatë, në ndeshjen e katër kualifikuese Euro 2020 ndaj Moldavisë rezultoi një ndër lojtarët më të mirë në fushë për Kombëtaren shqiptare. Roshi për shkak dëmtimi, qëndroi gati një vit larg fushave të blerta.

Goli i parë i Sokol Cikalleshit ndaj Moldavisë ishte meritë personale e Roshit, që e nxori atë të lirë e me portën e boshatisur, për t’i hapur rrugë fitores aq të pritur nga tifozët. Duhet theksuar që Roshi luajti në një rol tjetër.

“Jam shumë i gëzuar që u riktheva me asist dhe fituam ndaj Moldavisë. Krahu im është i djathtë po sot kam debutuar mirë në krahun e majtë. Kam kaluar një periudhë të gjatë dëmtimi. Edhe me trajnerin kam folur. Më ka thënë që jam lojtar i rëndësishëm për skuadrën”, u shpreh Roshi.

“Ka pasur besim te mua. Shpresoj t’ia kam shpërblyer. Para se te hyja në fushë kam biseduar me trajnerin, për rolin që do të luaja, në krahun e majtë. Nuk kam menduar për krahun e djathtë. Ndihem mirë kur njerëzit më thonë se i sjell fat Kombëtares”. Shqipëria fitoi 2-0 ndaj Moldavisë, me dy gola që u shënuan në pjesën e dytë. Ylber Ramadani vulosi rezultatin në mbyllje të ndeshjes.

Shqipëria pas katër ndeshjeve të para ka dy fitore dhe dy humbje.

loading...
loading...