Holandë-Angli, sot përplasja e madhe para finales së Ligës së Kombeve

Holandë-Angli, sot përplasja e madhe para finales së Ligës së Kombeve
Portugalia u bë finalistja e parë e Ligës së Kombeve, pas fitores ndaj Zvicrës.

Sonte në mbrëmje, në stadiumin “D. Afonso Henriques” të Guimaresit, do të përcaktohet edhe skuadra e dytë finaliste, që të dielën e 9 qershorit, do të diskutojë trofeun përballë Portugalisë.

Gjysmëfinalja e sotme do të jetë mes dy skuadrave të tjera që u renditën të parat në grupet përkatëse të Ligës A, njëkohësisht edhe dy prej ekipeve më në formë të momentit, Holandës dhe Anglisë.

“Tre Luanët” u renditën të parët në një grup me Spanjën e Kroacinë, ndërsa “tulipanët” dominuan grupin me Francën kampione bote dhe Gjermaninë ish kampione bote.

Anglia drejtohet prej disa kohësh nga trajneri Gary Southgate dhe ka krijuar një skuadër solide.

Pas mungesës në “Rusi 2018”, Holanda iu nënshtrua një rinovimi total nën drejtimin e trajnerit Ronald Koeman.

Përballja mes dy prej përfaqësueseve më të forta në botë, pavarësisht se cila do të mund të sigurojë finalen, premton spektakël.

loading...
loading...