Gjuha Shqipe dhe Letërsia/ Mbi 30 mijë maturantë sot në provim. Po përse ndryshojnë rregullat?!

Gjuha Shqipe dhe Letërsia/ Mbi 30 mijë maturantë sot në provim. Po përse ndryshojnë rregullat?!
Mbi 36 mijë maturantë në të gjithë Shqipërinë po i nënshtrohen sot provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.

Testimi ka nisur në ora 10.00 dhe do të zgjasë dy orë e gjysmë. Ky është provimi i dytë i tyre, pas provimit të parë të maturës shtetërore, që ishte Gjuha e huaj, provim që u dha më 7 qershor.

Testimi këtë vit ka pësuar sërish ndryshime. Për herë të parë kurrikula çon drejt dy lëndëve jo një lënde të përbashkët siç ka qenë deri në 2018, ku gjuha dhe letërsia ishin bashkë, kështu që do operohet me dy pjesë brenda një testi. Pra, teknikisht testi ka ndryshuar.

Maturantët janë njohur që në fillim të vitit me programin orientues me 15 vepra dhe 14 autorë. Testi do të përmbajë 34 pyetje, nga të cilat 20 do të jenë me alternativa. Kryesisht pyetjet me alternativa do të fokusohen te njohuritë gjuhësore, më pas do të ketë dy tekste letrare ku do të mbështeten pyetjet me zhvillim dhe në fund pjesa kreative eseja.

Veç testit, maturantët duhet të plotësojnë edhe një fletë tjetër ku do të mbushin me përgjigjet e sakta të pyetjeve me alternativa rrethet përkatëse, për të mundësuar për herë të parë korrigjimin digjital. Pikët në test janë shtuar gjithashtu, nga 50 vitin e shkuar, këtë maturë do të jenë 60.

Vazhdimisht bëhen ndryshime për organizmin e provimeve të Maturës, apo edhe për vlerësimin e tyre, thuajse çdo vit. Dhe këto ndryshime shoqërohen me kosto. Por përse bëhen vazhdimisht tëra këto ndryshime? A kanë ato rezultat? A po sjellin cilësi? A po shkojnë në universitetet tona pas çdo viti studentë më cilësorë?  Dhe meqë sot po jepet provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, mbi rëndësinë e padiskutueshme që ka ky provim, kërkohet një studim ose edhe një analizë nga ministria përkatëse për ata që studiojnë aktualisht në universitete, apo edhe ata që kanë mbyllur studimet dhe janë në tregun e punës, nëse i njohin sadopak disa nga rregullat bazë të Gramatikës së Gjuhës Shqipe! Nëse jo, atëherë përse tërë këto ndryshime dhe risi vit pas viti?!

loading...
loading...