Euro 2020/ Islanda dhe Moldavia, Balaj e Veseli besojnë të 6-pikëshi

Euro 2020/ Islanda dhe Moldavia, Balaj e Veseli besojnë të 6-pikëshi
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare të futbollit, Bekim Balaj i sheh dy sfidat e ardhshme ndaj Islandës dhe Moldavisë vendimtare për kualifikueset Euro 2020.

Ai thekson se kuqezinjtë i kanë të gjitha shanset për të grumbulluar pikët maksimale.

Nga Frankfurti i Gjermanisë ku është grumbulluar Kombëtarja para ndeshjes së 8 qershori kundër Islandës, sulmuesi shkodran theksoi se, “çdo gjë po shkon mirë dhe po përgatitemi maksimalisht. Jemi të fokusuar dhe duam rezultate të mira në dy ndeshjet e ardhshme”.

“Gjërat kanë ndryshuar, kemi një trajner i ri dhe metodë të re pune. Është e kuptueshme se në çdo ekip ndodh diçka e tillë kur ndërrohen trajneri. Jemi të gatshëm dhe duhet të bëjmë mirë. E rëndësishme është që po e shijojmë këtë moment”, tha ai.

Në lidhje me skemën e lojës që po aplikon trajneri i ri Reja dhe mundësinë që Shqipëria të luaj me dy sulmues, Balaj tha se, “Reja e ka hedhur si opsion skemën 3-5-2. Nuk kemi menduar vetëm këtë modul. Po shohim opsione dhe lojtarë të ndryshëm. E rëndësishme për ne është të japim më të mirën. Kemi luajtur me 1 sulmues, por misteri ka hedhur opsionin të luajmë me dy. Bashkëpunimi dhe mundësia për të shënuar do të jetë më e madhe”.

Mbrojtësi Federik Veseli beson se, Shqipëria mund të ringrihet dhe pse jo të marrë 6 pikë në dy takimet e radhës për “Euro 2020”.

Ai fillimisht bëri dallimin mes dy trajnerëve.

“Panucci dhe Reja janë trajnerë të ndryshëm, secili ka stilin e vet. Edhe në klubin tim kam parë trajnerë të ndryshëm. Nëse nuk do të ishin të ndryshim atëherë s’do të kishte arsye për ta ndërruar trajnerin. Është shumë herët për të vlerësuar punën e trajnerit dhe nuk është qëllimi dhe dëshira ime të jap vlerësime për ta. Unë jam futbollist dhe bëj punën time si çdo pjesëtar i Kombëtares. Kryesorja është të arrijmë rezultatet e kërkuara dhe të fitojmë sa më shumë pike”.

Veseli shtoi se Islanda nuk është më ajo e tre viteve më parë ndaj edhe, “me 6 pikë në dy ndeshje do të ishim të kënaqur, kjo është e sigurt, por në futboll është e vështirë të fitosh në çdo ndeshje. Qëllimi ynë është të jemi të përqendruar në ndeshjen e parë, të bëjmë një paraqitje pozitive në ndeshjen e parë të trajnerit të ri, më pas të shohim. Sigurisht qëllimi është që të fitojmë”. “Çdo skuadër kur e arrin kulmin, pëson një rënie, kjo është normale. Në këto momente Islanda nuk është ai ekip që ka qenë para pak vitesh. Shpresojmë ta shfrytëzojmë këtë rast për t’u rritur, pse jo të dalim me fitore”, tha ai.

Sa i përket të ardhmes tek klubi italian i Empolit, Vesili tha se, “kam edhe dy vite kontratë, jam lojtar i Empolit, por nëse do të vinte një mundësi e mirë për mua dhe klubin, do të lëvizja.”

loading...
loading...