"Dhuna e patolerueshme", Palmer: Kush pengon zgjedhjet përjashtohet nga marrëdhëniet me SHBA

"Dhuna e patolerueshme", Palmer: Kush pengon zgjedhjet përjashtohet nga marrëdhëniet me SHBA
Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer deklaroi se pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t'u përjashtuar nga marrëdhëniet me SHBA.

Diplomati i DASH tha se është përgjegjësi e udhëheqësve të opozitës që t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre se dhuna është një mjet i papranueshëm.

Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Përtej kësaj nuk mund të komentoj për situata hipotetike. Por, po; absolutisht është përgjegjësi e udhëheqësve të opozitës që, në këto rrethana, t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre se dhuna është një mjet i papranueshëm. Po ashtu duam të dëgjojmë të njëjtën gjë nga qeveria. Është një gjë që e kemi theksuar vazhdimisht. Kushdo në Shqipëri duhet ta dëgjojë qartë, nga udhëheqësit e tyre, nga ata të cilët i mbështesin dhe presin udhëzime, ta dëgjojnë nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Është diçka që unë e kam theksuar disa herë dhe po e përsëris: dhuna është e papranueshme.

U bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre që më 30 qershor të mos ketë dhunë, që askush të mos pengojë të drejtën e atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Protestat paqësore janë pjesë e qeverisjes demokratike. Kjo është shumë normale. Ne e pamë më 21 qershor se opozita është plotësisht e aftë të paraqesë argumentet e veta në mënyrë paqësore, në një mënyrë që përputhet me praktikat demokratike. Ne duam të shohim që edhe në 30 qershor ngjarjet të zhvillohen pa dhunë. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës t’ua bëjnë këtë të qartë përkrahësve të tyre.

Është një situatë më pak se ideale, që zgjedhjet vendore të zhvillohen pa pjesmarrjen e opozitës, por kjo nuk do të thotë që zgjedhet në vetvete nuk janë të vlefshme. Njerëzit do të kenë mundësi të dalin për të votuar, për të shprehur mendimin e tyre, askush nuk duhet t’i pengojë për këtë. Njerëzit që duan të marrin pjesë, që duan të votojnë, duhet të jenë të lirë ta bëjnë këtë. Të zgjedhurit duhet të lejohen të fillojnë detyrën dhe të qeverisin. Ne do të kemi njerëzit tanë në terren, në kuadër të misionit vëzhgues të ODIHR-it, por edhe në mënyrë të pavarur, me ekipe vëzhguesish të ambasadës, për të parë se si do të shkojnë gjerat. Ne shpresojmë që më 30 qershor gjithçka të jetë sa më qetë e paqësore”, tha mes të tjerash Palemer.

 

loading...
loading...