Berisha: Në Islandë po shkojmë me entuziazmin e munguar, falë trajnerit

Berisha: Në Islandë po shkojmë me entuziazmin e munguar, falë trajnerit
Etrit Berisha , portier i Atalantës në Seria A, para ndeshjes së tretë kualifikuese ndaj Islandës në Rekjavik, theksoi se një rezultat i mirë mban në lojë kuqezinjtë për kualifikimin.

Në mungesë të Thomas Strakosha, Berisha do të jetë në portë në dy ndeshjet kualifikuese ndaj qershorit, me Islandën e Moldavinë. Lidhur atmosferën në Kombëtare, pas dy ndeshjeve të para, humbjes 2-0 me Turqinë e fitores 3-0 ndaj Andorrës, Berisha u shpreh: Mund të them që është e mirë. Kemi një trajner me eksperiencë të madhe dhe është munduar ta bëjë ekipin entuziast. Tani për tani, jemi të lumtur, pasi po kalojmë mirë si në stërvitje dhe jashtë."

Por a ka presion kuqezi para Islandës?

‘Nuk duhet të kemi presion. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Një rezultat i mirë do të hapte shpresat për kualifikim. Jemi një grup ku nuk ka shumë diferenca”, nënvizoi portieri.

“Luajmë ndaj një kundërshtari direkt për kualifikim, çka do të thotë shumë për moralin dhe vetëbesimin e ekipit. Do të mundohemi ta përgatisim sa më mirë këtë ndeshje dhe të shohim. I kemi cilësitë e duhura për të marrë një rezultat pozitiv. Mendoj që Islanda, përveç lojës në ajër, ka dhe cilësi të tjera. Gjithsesi, jemi në këtë periudhë ku e kemi në konsideratë këtë gjë.”

A ka siguri portieri kuqezi duke parë emrat që luajnë në mbrojtje?

“Kemi shumë lojtarë që mund të bëjnë mirë në këtë repart. Kemi lojtarë me eksperiencë dhe lojtarë që luajnë në kampionate të rëndësishme. Mund të them që jemi të konsoliduar në këtë repart. Diferencën e kanë bërë gabimet tona. Besoj se do t’i eliminojmë këto gabime dhe do të kemi mundësi për rezultat pozitiv. Nëse dalim mirë nga kjo ndeshje, do të kemi vetëbesim dhe në ato që vijojnë.”

Shqipëria me tre pikë pas dy ndeshjeve të para, aq sa ka edhe Islanda, mban vendin e tretë pas Francës e Turqisë në grup, të cilët në dy ndeshjet e para morën pikët e plota.

loading...
loading...