Basha: Jo pazare, s’ka zgjedhje as më 30 gusht

Basha: Jo pazare, s’ka zgjedhje as më 30 gusht
Kreu i PD-së deklaroi se ndodhemi para kushteve kur as zgjedhje vendore nuk mund të mbahen ndaj dhe nuk do të pranojë asnjë marrëveshje pazar.

Sipas tij, zgjedhje është e pamundur të ketë deri më 30 gusht.

“Në demokraci, zgjedhjet janë instrumenti se si njerëzit zgjedhin qeverinë dhe qeverisjen që duan. Zgjedhjet janë mekanizmi se si vullneti i njerëzve përkthehet në institucionet qeverisëse. Por ama, është e qartë për këdo, se në kushtet e sotme nuk ka asnjë mundësi që vullneti i popullit të diktojë parlamentin dhe qeverisjen përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. As me 30 qershor, as me 30 korrik, as me 30 gusht. Jo përpara se të largohet Edi Rama nga kryeministër, dhe jo para se Vangjush Dako, Damian Gjiknuri dhe dhjetëra funksionarë socialistë dhe bashkëpunëtorët e tyre të botës së krimit të dalin para drejtësisë për vjedhjen e zgjedhjeve, për shkatërrimin e themelit të rendit demokratik....

Ajo që unë dhe bashkë me mua, qindra mijëra qytetarë po kërkojmë nga vendi ynë, nga shoqëria jonë, është standardi më minimal, por i pazëvendësueshëm i çdo shoqërie demokratike: të drejtën që shqiptarët me vullnetin e tyre të lirë të vendosin se kush do i qeverisë. Unë nuk do të pushoj së luftuari, deri sa kjo të arrihet dhe nuk do të bëj asnjë kompromis, me askënd, as sot, as nesër, derisa kjo të arrihet”,- tha Basha. /l.k./

Foto Google

loading...
loading...