Asnjë kompromis në horizont, nga politikanët bllokues të Shqipërisë!

Asnjë kompromis në horizont, nga politikanët bllokues të Shqipërisë!
Presidenti i Shqipërisë paralajmëron për “pasoja të pakontrollueshme”, nëse zgjedhjet lokale do të mbahen më 30 qershor”,  nënvizon në një reportazh “Al Jazeera”, një ndër mediat më prestigjioze në botë, rreth situatës më të fundit politike në Shqipëri.

Presidenti Ilir Meta vendosi të zhvillojë një seri takimesh me udhëheqësit e partive, duke nisur nga e mërkura në mbrëmje, në një përpjekje për të zgjidhur krizën kushtetuese që, sipas fjalëve të tij, përbën “një kërcënim serioz për sigurinë publike, stabilitetin demokratik, qetësinë dhe paqen në vend” .

Më 8 qershor, presidenti anuloi datën e zgjedhjeve vendore që duhet të mbaheshin në ditën e fundit të muajit, pasi vetëm Partia Socialiste në pushtet kishte kandidatë për kryetarë bashkie. “Ky proces zgjedhor është fiktiv,” tha ai.

Partitë e opozitës, të udhëhequr nga Partia Demokratike, kanë refuzuar të marrin pjesë në zgjedhje derisa kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë një qeverie transitore, e cila do të mbikëqyrë zgjedhje të parakohshme, të përgjithshme.

Rama fitoi një mandat të dytë katërvjeçar në qershor të vitit 2017.

“Kryerja e zgjedhjeve në kontekstin e një situate të tensionuar politike mund të çojë jo vetëm në mospjesëmarrjen të zgjedhësve me rreth gjysmës së votuesve, por krijon rrezikun e një konflikti civil”, tha Meta në thirrjen për anulimin e zgjedhjeve lokale.

Opozita ka bojkotuar parlamentin që nga shkurti, duke mbajtur tubime javore e protesta të vazhdueshme jashtë zyrës  së kryeministrit dhe Parlamentit.

“Kjo opozitë nuk ishte në gjendje të ndalonte parlamentin nga ndërmarrja e veprimeve të paligjshme”, tha kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha për Al Jazeera menjëherë pas largimit.

Qeveria e Rama është tronditur nga një seri skandalesh që kanë çuar në dorëheqjen e dy ministrave të brendshëm për bashkëpunim të dyshuar me krimin e organizuar.

Basha tha se ministrat e qeverisë “refuzuan të dorëzonin prova për hetimet që nisëm për bashkëpunim midis krimit të organizuar dhe ministrave të lartë”.

Pretendimet e fundit erdhën më 5 qershor, kur tabloidi gjerman Bild publikoi biseda telefonike të regjistruara që flisnin për lidhje mes klaneve të drogës, kryesuar nga Astrit Avdylaj, dhe zyrtarëve të Partisë Socialiste. Në regjistrim, zëri i identifikuar si Avdylaj këmbëngulte që i emëruari i tij të përfshihej në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2017, në këmbim të rritjes së pjesëmarrjes së votuesve për partinë. Ky i emëruar u zgjodh në Parlament.

Rama ka qenë sfidues ndaj këtyre pretendimeve. Pasi Meta anuloi  zgjedhjet lokale, ai paralajmëroi se me anë të Kuvendit do të zëvendësojë  presidentin. Debati dhe votimi është planifikuar për të enjten, por Rama duket se nuk ka qenë shumë i vendosur për shkarkimin e tij.

“Tani për tani [Rama] nuk do të përpiqet [ta heqë presidentin],” tha një deputet i opozitës i cili kërkoi të mos përmendet për Al Jazeera. “Ai ka propozuar një projekt-rezolutë ku askund nuk përmendet shkarkimi i presidentit. Por thjesht i bën thirrje presidentit të respektojë kushtetutën”.

Rama kontrollon në Kuvend direkt 75 deputetë. Ai ka nevojë për votat e 94 deputetëve, për të mbështetur rezolutën, që më tej të shkarkojë dhe zëvendësojë presidentin. Por ka një pengesë tjetër. “Për të hequr presidentin, rezoluta e parlamentit duhet të miratohet nga Gjykata Kushtetuese, kështu që nuk do të ndodhë gjithsesi”, shtoi deputeti i opozitës.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është e shkrirë prej 18 muajve për shkak të procesit të Vetting-ut. Rama u zotua për pastrimin e gjyqësorit në mandatin e tij të dytë, pasi u shfaqën akuza se gjyqtarët merrnin ryshfete. Bashkimi Evropian dhe SHBA kanë mbështetur hetimin.

“Ajo që ishte e papritur për ne ishte të shihnim që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk e kaluan procesin e verifikimit, pasi u konstatuan se nuk i justifikonin pasurinë e tyre. Disa gjithashtu nuk ishin profesionalisht të përgatitur mirë [dhe] disa u gjetën të kenë lidhje me kriminel organizata”, tha shefi i Partisë Socialiste Taulant Balla për Al Jazeera.

Ai tha se gjykata duhet të ishte në veprim deri në maj, por kjo nuk ka ndodhur.

Rama kundërshton fort tezën që Meta ka të drejtën kushtetuese për të shtyrë zgjedhjet. Meta thotë se caktimi i datës për zgjedhje është domen i veçantë kushtetues i presidentit. Mungon Gjykata Kushtetuese, ndaj edhe këto interpretime kundërthënëse nuk mund të zgjidhen.

Kundërshtimi politik dhe kushtetues i Shqipërisë mund të ndikojë në ekonominë e saj dhe shanset e tij për të filluar procesin e anëtarësimit në BE - një dëshirë që mbështetet nga shumica dërrmuese e  shqiptarëve.

“Duke pasur zgjedhje më 30 qershor 2019, pa konkurrencë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës - në kundërshtim me kriteret kyçe të Kopenhagenit për zgjedhje të lira dhe të ndershme - do të ngrijë përparimi dhe integrimi i vendit në BE dhe do të minonte çdo perspektivë për hapjen e negociatave të pranimit,” – tha Meta.

Por Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker shprehu një pikëpamje shumë të ndryshme më 11 qershor, kur ai u takua me Ramën në Bruksel.

“Jam në favor të këtyre zgjedhjeve, nëse jo, kjo do të dëmtonte perspektivën evropiane të Shqipërisë,” tha Juncker.

Rama kërkon që bisedimet e anëtarësimit të vazhdojnë. “Mendoj se është koha që Evropa të bëjë atë që presim - të njohë meritat tona dhe të ndezë dritën jeshile për bisedimet e pranimit”, tha kryeministri.

Deputeti i opozitës ka një pikëpamje të ndryshme: “Për ne, kjo kujton zgjedhjet që regjimi komunist u përpoq të organizonte në vitin 1990, pak para se të binte, kur kandidatët e saj ishin Partia e Punës e Shqipërisë dhe satelitët e saj, si Rinia Komuniste , Bashkimi i Grave Komuniste [dhe sindikatat e kontrolluara nga komunistët]”.

Partia Socialiste është pasuese e regjimit komunist, duke absorbuar shumicën e politikanëve dhe inteligjencës me përvojë në vend.

Ekonomia gjithashtu mund të vuajë nga pasiguria politike dhe kërcënimi i asaj që Meta e quan me “pasoja të pakontrollueshme”.

GDP-ja për frymë në Shqipëri, është nga më të ulëtat në Evropë, në pak më shumë se 4,500 dollarë.

Shtimi i këtyre vështirësive është perceptimi se partia në pushtet kujdeset për përkrahësit e saj. Edhe pse Rama ka zbatuar një koleksion mbresëlënës të investimeve publike në rrugë, spitale dhe rigjenerim të qyteteve, shumë shqiptarë thonë se kjo nuk ka nxitur një rimëkëmbje të gjerë.

“Unë kam katër vëllezër, ata nuk kanë mundësi të punojnë këtu, prandaj jetojnë në Greqi”, tregon Xhelil Koleci, veteriner, për “Al Jazeera”.

Vëllezërit planifikuan të ktheheshin në Shqipëri gjashtë vjet më parë, kur Rama u zgjodh dhe përdorën kursimet e tyre për të ndërtuar shtëpi të reja, por tani “ata nuk kanë shpresë, madje mendja ime është duke punuar për të ikur”, thotë Koleci. “Kam dy fëmijë që studiojnë në Gjermani. Nuk mund t'u them atyre, “Kthehuni dhe ndërtoni jetën tuaj këtu”.

Duke pasur parasysh se opozita përjashtoi rikthimin në parlament, është e vështirë të imagjinohet një kompromis që do të rivendoste besimin e vendit në proceset parlamentare dhe zgjedhore.

Heshtja për proceset gjyqësore dhe refuzimi i Ramës për të pranuar autoritetin e presidentit gjithashtu lëkund balancime të rëndësishme.

“Pikëpamja ime personale është se pa një ndërhyrje nga BE ose një shtet anëtar i fuqishëm, [kompromisi] do të jetë i vështirë,” thotë deputeti i opozitës.

loading...
loading...