Anulimi i zgjedhjeve të 30 qershorit/Rama paralajmëron shkarkimin e Metës

Anulimi i zgjedhjeve të 30 qershorit/Rama paralajmëron shkarkimin e Metës
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Sipas kryeministrit, Meta ka humbur të drejtën që të qëndrojë në zyrën e Presidentit.

Madje nga Burreli, ku vijoi sot fushatën në prezantimin e kandidatëve socialistë për zgjedhjet e 30 qershorit, ndonëse Presidenti Meta anuloi dekretin për mbajtjen e tyre në këtë datë, Rama tha:

“Opozitës dje iu shfaq shpëtimtar Presidenti i Republikës, duke paralajmëruar një plan që politikisht është vetëvrasje, ligjërish është nul dhe nuk ekziston dhe moralisht është turp. Dhe mos u çudisni nëse ju them se nga fronti i shpëtimtarit të opozitës, s’keni parë gjë akoma. Nuk është çmenduria e fundit, do të ketë edhe të tjera. Një gjë është e sigurt, do apo s’do Saliu, do apo s’do Lulzimi, zgjedhjet do mbahen me 30 Qershor.”

“Kushtetuta e Republikës nuk është filxhan që rrotullohet, zgjedhjet nuk janë llumi i kafes turke që i kthen përmbys së bashku me filxhanin. Dje Ilir Meta shkroi fatin e tij si President, që humbi të drejtën që të qëndrojë në atë zyrë. Është në zhvillim e sipër, por ata që udhëheqin lëvizjen “Rama ik!’, ata do ikin vetë një nga një”, paralajmëroi kreu i qeverisë.

Kryeministri Edi Rama u shpreh gjithashtu se “kjo luftë nuk është për baskitë, por bëhet për pazar”. Ai tha se opozita i ka të humbura zgjedhjet kurdo që të mbahen ato, por  është trembur nga Reforma në Drejtësi, ndaj edhe të gjitha lëvizjet bëhen kundër saj, për ta penguar dhe bllokuar atë, gjë që sipas tij, nuk do të realizohet kurrë.

Sipas Kushtetutës, Kuvendi i Shqipërisë mund ta shkarkojë Presidentin e Republikës me 2/3 e votave.

Por mbetet e paqartë nëse mazhoranca merr këtë hap, për të bërë nul vendimin e Presidentit,  pasi është Gjykata Kushtetuese ajo që vulos përfundimisht vendimin, që në këtë rast bëhet fjalë për një vendim të papreçentë në historinë post-komuniste të Shqipërisë..

loading...
loading...