“Zot shpëtoje Champions League!"

“Zot shpëtoje Champions League!"
Totenham pas një përmbysjeje magjike ndaj Ajaksit, ashtu si Liverpuli kundër Barcelonës arriti në finale të Ligës së Kampionëve. Finalja që do të jetë e tëra angleze i hap një vend në Champions edhe vendit të pestë të Premier League, duke shpëtuar sezonin për Arsenal ose United  

Nga Aranit Muraçi

Finalja e Champions League do të jetë e tëra angleze. Përsëritet një tjetër finale  me dy ekipe të së njëjtës ligë, që kur Chelsea e Manchester United diskutuan trofeun e turneut të vitit 2008. Pavarësisht humbjeve të ndeshjeve të para dhe ndonëse Liverpool  e Totenham nuk shiheshin favoritë, përmbysjet gati të pabesueshme kanë shokuar tërë opinionin sportiv botëror.  Liverpool përmbysi rezultatin e parë të humbjes me Barcelonën nga 3-0 në 4-0 dhe preku finalen të martën në mbrëmje. Totenhem që humbi ndeshjen e parë 1-0, madje edhe pjesën e parë të ndeshjes me Ajax në Amsterdam 2-0, bëri mrekullinë në 45 minutat e fundit, duke shënuar tre gola që i dhanë kualifikimin historik.

Braziliani i Tottenham, Lucas Moura, ishte heroi i ndeshjes me tre golat e shënuar, madje ai i kualifikimit u realizua në sekondat e fundit të kohës shtesë. Dy ekipet rivale në Premier League, që u kualifikuan përmes një drame të pabesueshme, do të diskutojnë trofeun më 1 qershor në stadiumin e Atletico Madrid. Liverpool, që kualifikohet për herë të dytë radhazi në një finale të Champions, synon trofeun e gjashtë në histori. Nga ana tjetër Totenham siguroi finalen e parë, ndërkohë që mediat ndërkombëtar i kanë bërë jehonë kualifikimit të dy ekipeve angleze. Mes titujve kryesore, veçohet ai i Marca, “Zot shpëtoje Champions!”.