U jepet mandati dhe 3 kandidatëve, shkon në 116 numri i deputetëve

U jepet mandati dhe 3 kandidatëve, shkon në 116 numri i deputetëve
“Harta” parlamentare po ndryshon nga java në javë, duke i shtuar gjithmonë e më shumë deputetë sallës së seancave plenare

***

Gjithmonë e më shumë deputetë të ulur në sallën e seancave plenare të Kuvendit. Kjo është pamja që po ofron nga java në javë “harta” e re parlamentare e vendit, teksa kandidatë të rinj nga listat shumëemërore të opozitës po pranojnë të marrin mandatet e lëna prej ish-deputetëve të saj. Kështu, vetëm ditën e djeshme Komisioni Qendror i Zzgjedhjeve ka vendosur që t’u japë mandatin tre deputetëve të rinj nga listat e Partisë Demokratike. Ata janë konkretisht:  Deputeti i ri Kujtim Gjuzi, që është në të njëjtën kohë edhe kryetar i Partisë Konservatore dhe ka qenë pjesë e listave të Partisë Demokratike në Durrës. Sikundër, KQZ-ja gjithashtu i ka dhënë mandatin e deputetit Indrit Hoxhës nga listat e po kësaj force politike në Tiranë, si edhe Koçi Tahirit po nga lista e PD-së në Korçë. Në total, deri tani numri i deputetëve në Kuvend shkon në 116 të tillë. Ndërsa nevojiten edhe 24 pranime të tjera mandatesh, në mënyrë që të kompletohet kuadri i plotë i një Kuvendi normal prej 140 deputetësh. Proces ky që duket se është në vijim, ndërsa nga dita në ditë po mësohen emra të rinj kandidatësh që paraqesin formularin e dekriminalizimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kësisoj ata paraqiten si kandidatë për deputetë të ardhshëm të jetës aktive parlamentare në vend.

Gjithçka nisi pas lënies së mandateve prej ish-deputetëve të opozitës, rreth tre muaj më parë, si një formë ekstreme kjo e zgjedhur prej tyre e një aksioni të ndërmarrë kundër kryeministrit dhe qeverisë së drejtuar prej tij.

Fillimisht, ishin tre deputetë të opozitës që refuzuan lënien e mandatit të tyre parlamentar: Lefter Koka nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Rudina Hajdari e Myslim Murrizi nga Partia Demokratike. Pas këtij akti të tyre, nisi edhe marrja e mandateve prej kandidatëve të ndryshëm që figuronin në listat shumëemërore të partive të opozitës.

116

Është numri aktual i deputetëve në Kuvend, pas pranimit të mandateve prej kandidatëve të ndryshëm që figuronin në listat shumëemërore të partive të opozitës

140

Është numri zyrtar i deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, ku 74 prej tyre figurojnë të kenë qenë të zgjedhur si të Partisë Socialiste në zgjedhjet e mëparshme