Thaçi: Pa rolin udhëheqës të SHBA, s'mund të ketë marrëveshje!

Thaçi: Pa rolin udhëheqës të SHBA, s'mund të ketë marrëveshje!
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar dje në një prononcim për mediat gjatë Samitit të “Brdo Brijunit” në Tiranë se çdo vendim kundër liberalizimit të vizave me Kosovën është një vendim diskriminues.

“Theksova edhe një herë domosdoshmërinë që të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën, sepse i kemi implementuar të gjitha kriteret. Nëse vazhdon të mos merret ky vendim në mënyrë unike nga vendet e Bashkimit Evropian, me të vërtetë ky është diskriminim, është dhe ndëshkim, padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, tha Thaçi. Ndërsa sa i përket dialogut Kosovë-Serbi Thaçi theksoi se, “tarifa ka qenë një vendim i drejtë dhe legjitim dhe i tillë do të mbetet në fuqi”.

“Duhet të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar me mundësi për arritje të një marrëveshje për një normalizim të plotë, ligjërisht obliguese. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse që nuk krijon vija etnike të kufijve. Që vendet tona mbesin multi-etnike dhe që përfshijnë Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në territorin e Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim dua të besoj që vendet e BE tani e tutje do të jenë më unike, jo siç ka ndodhur në Berlin”, deklaroi gjithashtu ai.

Gjithsesi, Thaçi shtoi se mundësitë për marrëveshje janë. “Unë shpresoj ende se mund të arrihet gjatë këtij viti një marrëveshje mes vendeve të pavaruara dhe sovrane. Gjithashtu e theksoj edhe njëherë me përfshirjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me territorin aktual duke mos cenuar asnjë centimetër të Republikës së Kosovës”, konkludoi ai.