Shpërthim fatal, vdes komandoja shqiptare në Letoni

Shpërthim fatal, vdes komandoja shqiptare në Letoni
Një grup i Kontingjentit të Asgjësimit të Municioneve dhe Lëndëve Eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Vdes nëntetare Zarife Hasanaj, plagosen komandanti i kontingjentit, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj

Një efektive e Forcave të Armatosura të Shqipërisë ka humbur jetën dhe dy komando të tjerë kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura, gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në misionin e NATO-s në Letoni.

Nga shpërthimi ka humbur jetën nëntetare Zarife Hasanaj. Kurse të plagosur kanë mbetur kanë mbetur komandanti i kontingjentit, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj.

Kontigjenti shqiptar që shërben në grup-batalionin e NATO-s në Letoni, kishte detyrë asgjësimin e municioneve dhe lëndëve eksplozive. Pas incidentit tragjik, kjo detyrë është pezulluar pa afat.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, foli kortezialisht mbi ngjarjen duke shprehur “dhimbjen e saj për humbjen e nëntetare Hasanajt”, si dhe uroi shërim të shpejtë të dy komandove të plagosur, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj.

Detaje mbi ngjarjen dha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku. Ai sqaroi se kontingjenti shqiptar gjendet në Letoni, në kuadër të misionit të NATO-s, “Enhanced Forward Presence”.

“Një grup i Kontingjentit të Asgjësimit të Municioneve dhe Lëndëve Eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, sot 6 maj 2019, në ora 9:10, (ora 10:10 me orën lokale), janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake në bazën e NATO, ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve. Nga ky shpërthim, është plagosur dhe më pas, ka humbur jetën nëntetare Zarife Muharrem Hasanaj. Të plagosur kanë mbetur komandanti i kontingjentit, major Klodian Nikolla Tanushi dhe rreshter Julian Xhevat Kapaj”, - informoi gjenerali Kollçaku.

Ai tha se major Tanushi dhe rreshter Kapaj janë nën kujdesin maksimal të mjekëve, në bazën "Camp Adazi", në Letoni.

Për ngjarjen gjenerali tha se pala shqiptare është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet më të larta letoneze dhe të aleatëve të NATO-s në mision.