Rriten tensionet mes Qipros dhe Turqisë

Rriten tensionet mes Qipros dhe Turqisë
Ankaraja po bën një stërvitje masive detare afër kufirit me Qipron, në një zonë të debatueshme mbi të drejtat e eksplorimit të burimeve të energjisë. Kjo mosmarrëveshje po rrit tensionet ekzistuese mes Turqisë dhe aleatëve të saj perëndimorë.

"Qëllimi ynë në stërvitjet ushtarake është të tregojmë se forcat e armatosura turke janë jashtëzakonisht të vendosura, të përkushtuara dhe të afta për të mbrojtur sigurinë, sovranitetin, pavarësinë, dhe të drejtat detare të Turqisë", tha të dielën Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar.

Përfshirja e më shumë se 130 anijeve, në stërvitjen dyjavore të titulluar “Operacioni Ujku i Detit” do të jetë një nga stërvitjet më të mëdha të Turqisë pranë Qipros, ku pritet të dislokohet shumica e forcave detare të Turqisë. "Ne marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe ligjin e vendit tonë në Detin Egje, Mesdheun Lindor dhe në Qipro", shtoi Akar.

Ankaraja dhe administrata greke qipriote janë përfshirë në një mosmarrëveshje rreth të drejtave të kërkimit për hidrokarbure në ujërat që rrethojnë ishullin mesdhetar. Turqia këmbëngul se ka të drejtë të bëjë kërkime për rezerva gazi natyror së bashku me administratën turke qipriote.

Qipriotët grekë kundërshtojnë pretendimet e Ankarasë dhe këmbëngulin se ajo është e vetmja administratë e njohur ndërkombëtarisht. Ishulli është ndarë që nga viti 1974 nga një pushtim turk për të mbrojtur pakicën turke qipriote, pas një grusht shteti të nxitur nga Greqia.

Mosmarrëveshjet u përshkallëzuan këtë muaj, kur Ankaraja dërgoi anijen e saj të eksplorimit, “Fatih” për të bërë kërkime për hidrokarbure në ujërat e shpallura nga grekët qipriotë si një Zonë Ekonomike Ekskluzive (ZEE).

"Qiproja mund të shqyrtojë dërgimin e anijeve të saj në zonën ku po bënë shpime anija turke Fatih. Nëse kjo ndodh, kam frikë se të gjitha alternativat janë të hapura",tha analisit politik Cengiz Aktar nga Universiteti i Athinës.

Qëndrimi gjithnjë e më agresiv i Ankarasë po shkakton alarm në mesin e aleatëve të saj perëndimorë.

"Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga synimet e Turqisë për të filluar operacionet e shpimit në det të hapur në një zonë të pretenduar nga Republika e Qipros si Zonë e saj Ekskluzive Ekonomike", tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus.

"Ky hap është shumë provokues dhe rrezikon të rrisë tensionet në rajon," shtoi ajo. "Ne u bëjmë thirrje autoriteteve turke të ndalin këto operacione dhe inkurajojmë të gjitha palët për përmbajtje".

"Bashkimi Evropian mbështetë Qipron dhe pret që Turqia të respektojë të drejtat sovrane të shteteve anëtare të BE-së", tha Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk më 9 maj.

Federica Mogherini, shefe e politikës së jashtme të BE-së shkoi një hap më tej, duke akuzuar Ankaranë për një "veprim të paligjshëm".

"Kjo nuk është vetëm retorikë, sepse BE-ja e konsideron këtë si një sulm të hapur ndaj të drejtave sovrane të një shteti anëtar. Zyrtarët kryesorë të BE-së kanë thënë se BE është gati të hakmerret me masat e duhura, të cilat mund të jenë sanksione. Kjo është serioze, pasi kjo do të godasë edhe më shumë ekonominë turke", thotë analisti Aktar.

Ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusoglu ka hedhur poshtë paralajmërime të tilla, duke njoftuar se një anije e dytë eksplorimi mund të dërgohet në ujërat e kontestuara qipriote.

Marrë nga VOA

loading...
loading...