Reforma zgjedhore, socialistët u kërkojnë ndihmë ndërkombëtarëve

Reforma zgjedhore, socialistët u kërkojnë ndihmë ndërkombëtarëve
Partia Socialiste u ka kërkuar dje në mënyrë të hapur ndihmë ndërkombëtarëve, që ata të ndërhyjnë për ta realizuar sa më parë reformën zgjedhore. Kështu, gjatë mbledhjes së zhvilluar dje nga anëtarët e këtij komisioni, drejtuesi socialist i tij, Damian Gjiknuri kërkoi mbështetjen e ndërkombëtarëve, në mënyrë që sipas tij, kjo reformë të realizohet sipas standardeve të kërkuara nga OSBE/ODIHR-i.

“Uroj të krijojmë një klimë të mirë bashkëpunimi. Bashkë kemi mundur, kur ishim në opozitë të bisedojmë, të gjejmë marrëveshjet e duhura dhe të kalojmë reforma konsensuale. Zgjedhjet këtë vit kanë përmirësime”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, puna për reformën zgjedhore do të vazhdojë pavarësisht mungesës së vullnetit. “Kanë një karrige bosh në çdo kohë që duan të marrin pjesë. Kjo është një ftesë e hapur, edhe pse kanë zgjedhur një rrugë jo demokratike. Jam i bindur që një ditë do të ndodhë, pavarësisht nga retorika e çastit”, shtoi Gjiknuri.

Kurse përfaqësuesja e opozitës aktuale në Kuvend, Rudina Hajdari u shpreh se zgjedhjet kanë qenë problematike dhe janë përdorur shumë nga partitë e mëdha. Kurse sistemi aktual sipas saj ka qenë edhe gracka e gjithë kësaj.

“Ndaj opinion të ndryshëm nga Gjiknuri, por kjo nuk do të thotë që nuk do bashkëpunojmë. Sistemi aktual është i dominuar nga anti-kushtetueshmëria, klasa politike nuk është e përfaqësuar nga njerëzit, por përfaqësohet në mënyrë të padrejtë në Kuvend. Shqiptarët janë të interesuar për këtë reformë”, deklaroi ajo.