Rama: Zgjedhjet, bota nuk po shqetësohet si në 2017-tën!

Rama: Zgjedhjet, bota nuk po shqetësohet si në 2017-tën!
“Nuk shoh askënd që të shqetësohet si në 2017-tën”. Kështu u shpreh dje kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp me komisioneren e Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke iu referuar krizës politike në vend.

Sipas tij, vërtet atëherë partnerët tanë kanë qenë të shqetësuar dhe të interesuar të mundësojnë lidhjen mes palëve, por vendimmarrja ka qenë e jona.

Ndërsa këtë herë sipas tij, është ndryshe, duke  këmbëngulur më tej për mbajtjen me çdo kusht të zgjedhjeve lokale më 30 qershor.

“Përsa i përket zgjedhjeve, ato do të mbahen në 30 qershor. Dhe të jeni të sigurt të gjithë, që në 30 qershor do të zgjidhen të 61 kryetarët e bashkive dhe këshillat e rinj bashkiakë. Kjo është pak, por e sigurtë. Qytetarët do të votojnë në 30 qershor për zgjedhjet vendore”, theksoi ai. Duke dalë kështu edhe njëherë kundër qëndrimit të opozitës për mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale brenda afatit të caktuar të tyre prej kreut të shtetit. Sipas Ramës, mazhoranca dhe institucionet e tjera do të bëjnë gjithçka u takon në këtë proces. “Dhe kush merr pjesë e kush nuk merr pjesë, kjo është zgjedhje e lirë e gjithsecilit”, garantoi ai.

Nga ana tjetër, lidhur me zhvillimet politike në vend ai tha se vërtet ajo që ka ndodhur është shqetësuese, porse ka ardhur koha që ne t’i qëndrojmë sistemit dhe t’i qëndrojmë rrugës së përcaktuar nga Kushtetuta.

“Kush qëndron në sistem, qëndron, kush nuk qëndron në sistem, ka zgjedhjen e vet të lirë. Ama, nuk ka shans të pengojë të tjerët që të qëndrojnë në sistem”, apeloi mes të tjerash kreu i qeverisë.

Gjithashtu, ai iu referua edhe debatit mbi çështjen e Kosovës, teksa ka theksuar se nuk ka patur aspak një komplot për ta copëtuar atë, siç edhe është pretenduar. “Nëse gjenden aq shumë budallenj sa të besojnë se një proces që përfshin shtete dhe jo dy shtete, por të gjitha shtetet e botës, mund të bëhet fshehurazi nga disa persona dhe të kalojë në gjithë këtë proces që thashë si miu nën mustaqe, atëherë kjo botë ka marrë fund, por unë besoj që jo”, deklaroi ai, duke e tërhequr veten nga çdo lloj aludimi rreth kësaj.