Rama pranon se çelja e negociatave nuk do të ndodhë në qershor

Rama pranon se çelja e negociatave nuk do të ndodhë në qershor
Samiti frakogjerman i Berlinit, kryeministri shigjeton Tiranën dhe Prishtinën

Rama e cilësoi jehonën e samitit të Berlinit si famëkeqe, duke përfshirë në kritikat e tij, si Shqipërinë ashtu dhe Kosovën: “Nuk kisha parë kurrë në parë keqinformim dhe keqpërdorim më të madh politik, mediatik të një ngjarjeje politike ndërkombëtare, ku kam qenë pjesëmarrës, sesa tërësia e marrëzive e ligësive që e shoqëruan dhe e pasuan në pasqyrat e medias shqiptare, në Tiranë dhe në Prishtinë këtë Samit”.

Rama tha se samiti s’kishte asnjë lidhje me negociatat për anëtarësim të Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe se nuk ishte as një Samit për çështjen e integrimit europian në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, tema e Samitit ishte bashkëpunimi rajonal dhe një pikë e veçantë, dialogu Kosovë-Serbi.

Duke u ndalur te pritshmëritë për çeljen në qershor të negociatave, z.Rama pranoi se kjo nuk do të ndodhë, duke shprehur shpresë se procesi mund të realizohet në shtator.

Rama tha se Shqipëria i ka plotësuar kushtet dhe shtoi se i vetmi problem i miqve gjermanë është se koha fizike për procedurën e diskutimit të Bundestagut, nga data e daljes së rekomandimit të komisionit në fund të majit në ditën e vendimmarrjes në Këshillin Europian në 21 Qershor është tejet e shkurtër.

Më tej ai tha: “Këtu ka dhe një detaj tjetër, për të gjithë ata që duan të kuptojnë, pse Komisioni Europian vendosi këtë vit në mënyrë të veçantë që ta nxjerrë raportin në fund të majit: për të mos e nxjerrë gjatë zgjedhjeve për parlamentin europian dhe për të mos e kthyer rekomandimin e pritshëm pozitiv në një mish për top për fushatat elektorale, në ato vende ku qartësisht problemi nuk është as marrëdhënia e miqësisë dhe respektit me Shqipërinë, as ecuria faktike e Shqipërisë, por dinamika e brendshme elektorale dhe politike. Prandaj edhe është folur për shtatorin nga pala gjermane, por kurrsesi për mos çeljen e negociatave për ndonjë arsye që lidhet me Shqipërinë”.

Në këtë pikë, z.Rama lëshoi një tjetër kritikë ndaj medieve: “Gramafonët dhe filxhanët e Tiranës gjëmuan dhe lajmëruan kobin e zi të mbylljes së derës së negociatave për Shqipërinë, duke përhapur ende pa filluar takimi im dhe pa mbaruar as kafet e mirëseardhjes së Samitit, broçkulla nga më të hatashmet”, - tha z.Rama. Sipas tij, këto ishin “thjesht e vetëm një shprehje ekstreme e dëshpërimit të të gjithë atyre, të cilët duan të marrin me çdo kusht me vete Shqipërinë në rrugën e theqafjes politike që e kanë zgjedhur vetë”.

Për z.Rama, “përpjekja ekstreme për t’u shitur shqiptarëve kazanin e opozitës së dalë binarësh, duke u thënë që negociatat nuk hapen sa të jemi ne në qeveri dhe unë në krye të qeverisë, është e vajtueshme, e shëmtuar e turpshme, sepse s’ka besoj shqiptar të logjikshëm që nuk e kupton se tanimë prej disa vitesh vendimmarrjet europiane për vendet e rajonit tonë, përfshirë edhe Shqipërinë nuk lidhen vetëm me sa bëjmë e çfarë bëjmë ne, por po aq, madje për fat të keq çdo ditë e më shumë më çfarë ndodh në politikën e brendshme të disa vendeve të kërcënuara nga rritja e partive atieuropiane”.

 

EDI RAMA:

Shtyrja e heqjes së vizave për Kosovën, e papranueshme

“Çfarë duhet të bëjë më shumë Kosova për liberalizmin e vizave, që është shembulli më spektakolar i faktit se askush nuk i thotë dot më Kosovës s’ke përmbushur kriteret, askush nuk i thotë jo, por sidoqoftë çështja nuk futet fare në rend të ditës për shqyrtim se të gjithë e dinë se disa qeveri në BE, i friken forcave antieuropiane në vendet e tyre nëse japin Kosovës atë që i takon me ligj. Këtu u arrit të shkruhet deri edhe se Presidenti Macron paska fajësuar Shqipërinë për mos heqjen e vizave me Kosovën. Aspak e vërtetë!

Presidenti i Francës foli hapur për faktin se ato forca e keqpërdorin çdo problem, përfshirë edhe problemin e azilkërkimit të disa mijëra individëve nga vendet jo anëtare të BE-së, si një argument për të frikësuar elektoratin dhe për t’u rritur përmes ushqimit të frikës”.