Rama flet pas Berlinit: Zgjedhjet nuk shtyhen, nuk ma kërkuan. Burg për zjarrvënësit dhe bllokuesit e rrugëve

Rama flet pas Berlinit: Zgjedhjet nuk shtyhen, nuk ma kërkuan. Burg për zjarrvënësit dhe bllokuesit e rrugëve
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim të gjatë përpara grupit parlamentar të Partisë socialiste, menjëherë pas kthimit nga samiti i Berlinit.

Ai ka bërë të ditur se zgjedhjet e 30 qershorit nuk shtyhen, pavarësisht bojkotit të opozitës.

“Kujtuan se do trondisnin Evropën e Amerikën duke djegur mandatet e duke veshur jelekët, por në këmbim kanë marrë refuzimin e një maskarade të pashoqe, e po vazhduan kështu do të marrin edhe izolimin total nga gjithë bota demokratike”, tha Rama, duke mos dëshmuar asnjë grimë tërheqjeje.

Ai u bëri të qartë deputetëve të tij se nuk ka ndryshuar as qëndrimi i ndërkombëtarëve që ka takuar në Berlin.

“E megjithë broçkullat nga Samiti, u tha se do më tërhiqnin veshin për zgjedhjet, nuk më zuri veshi, asnjë fjalë të kësaj natyre, zero. Në demokraci askush nuk është i detyruar të hyjë me zor në zgjedhje. S’është detyrë e qeverisë të fusë me zor në zgjedhje partitë, as e drejtë të shtyjë afatet pse disa parti nuk duan të hyjnë. Ndërsa për parti apo individë që duan të kthehen në zjarrvënës të zgjedhjeve ka një kapitull në kod. Duhet të informojmë mirë publikut, në këtë aspekt kodi penal ‘ka nevojë për asnjë ndryshim, përbën një bazë solide ligjore”, tha Rama.

Fjalë të cilat janë njëkohësisht një paralajmërim për mundësinë që opozita të ndërmarrë aksione jashtë politikës për të bllokuar procesin zgjedhor. Rama ka shtuar edhe më shumë dozën, teksa ka paralajmëruar edhe mundësinë e një skenari të ngjashëm me vitin 1997

“Kujtojnë se do ngremë njerëz për të djegur godinat e institucioneve duke shpresuar se do të prodhojnë dëshmorë në revolucionin e tyre imagjinar. Se në kohën e tyre u përgjigjeshin me kallashnikov, por gjetën disa të verbër që janë në burg për faj të tyre. Pa pikë dyshimi nuk do të gjejnë më t’i takojë e jo më t’i dëgjojë nëse nuk i japim fund kësaj marrëzie”.

Një tjetër sinjal Kryeministri Edi Rama ka leshur për aksionet e opozitës të cilët, në emër të mosbindjes civile, për të disatën herë do të vijojnë me bllokimin e rrugëve kombëtare dhe nyjeve të qarkullimit urban.

“S’mund ta pranojmë si normalitet bllokimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe për më tepër organizimin e bllokimit të qarkullimit në mënyrë të qëllimtë”, tha Rama.

Kryeministri ka kërkuar ashpërsim të dënimeve në Kodin Penal për ata që shkelin standardet e sigurisë ushqimore, edhe pse deklaroi se “produktet tona bujqësore, ndryshe nga çfarë del në ekran për të bërë sensacion, janë plotësisht të shëndetshme”. Dënime më të ashpra ka kërkuar edhe për armëmbajtjen pa leje, dhunën ndaj personave për shkak të detyrës, neglizhencën në trajtimin shëndetësor të njerëzve si dhe për mbrojtjen e të drejtës së autorit.

Gjithashtu ai u ka kërkuar deputetëve të përgatiten për zgjedhjet e 30 qershorit njësoj sikur të kenë përballë opozitën, pavarësisht nëse ata do të hyjnë apo jo në zgjedhje. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google