Protestat e opozitës, Rama: Burg kush bllokon rrugët

Protestat e opozitës, Rama: Burg kush bllokon rrugët
Kryeministri Edi Rama foli dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, për Samitin e Berlinit dhe disa ndryshime në Kodin Penal

Kryeministri Edi Rama, foli gjatë dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, mbi samitin e Berlinit dhe zhvillimet e fundit politike në vend. Si rrallëherë, fjala e Ramës te deputetët e tij u lejua të transmetohej direkt dhe ai dha një varg mesazhesh, të cilat në qendër kishin përpjekjen për të frenuar përshkallëzimin e protestave opozitare duke paralajmëruar deri dhjetë vjet burgim për ata që bllokojnë rrugët e vendit.

Shefi i qeverisë tha se opozita dështoi në planin e saj që duke u larguar nga Parlamenti, të arrijë synimet e saj. “Kujtuan se do hutonin dhe do të tronditnin Europën dhe Amerikën, duke djegur mandatet dhe duke veshur jelekët e destabilizatorëve të Shqipërisë në emër të luftës me narkoqeverinë e vendit të tyre. Por në këmbim kanë marrë vetëm refuzimin e një maskarade politike të pashoqe në historinë e vendeve demokratike”. Rama paralajmëroi se nëse opozitarët vazhdojnë kështu, “do të marrin bashkë me refuzimin, edhe izolimin total nga e gjithë bota demokratike”.

Rama foli dhe për tentativë të opozitës që të krijohen situata të përgjakshme që vendi nuk i ka të munguara në vite. “Kujtojnë se do të ngrenë njerëz për të shkatërruar dhe djegur godinat e institucioneve, duke shpresuar se do të prodhojnë dëshmorë të revolucionit të tyre imagjinar, si pasojë e reagimit, të pritshëm prej tyre, disporpocional të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, që në kohën e tyre u përgjigjeshin me kallashnikov protestuesve paqësorë. Por gjetën vetëm disa të verbër, që sot janë në burg për shkak të tyre dhe morën dhe do të marrin mbrapsht, deri kur të vazhdojnë kështu, vetëm përgjigjen proporcionale të forcave të rendit, asgjë më shumë dhe asgjë më pak”.

Sa për zgjedhjet, Rama ishte i prerë se s’do të ketë shtyrje të tyre. “U gënjen mëndja se do të ndalojnë Shqipërinë të bëjë zgjedhjet vendore në datën e përcaktuar nga Kushtetuta e kësaj Republike, sepse ende kujtojnë, me sa duket, se do të gjejnë budallenj që të shkojnë me këmbët e tyre burgjeve, pasi të sulmojnë kutitë e votimit për llogari të gramafonit të Lulit dhe filxhanit të Monikës”.

Duke komentuar publikimet mediatike se në Samitin e Berlinit i ishte kërkuar shtyrja e zgjedhjeve lokale, z.Rama e mohoi këtë dhe shtoi: “Jo, asnjë kërkesë të kësaj natyre. Zero!”

Rama tha se në demokraci askush është i detyruar të hyjë me zor në zgjedhje dhe vazhdoi: “Kushdo është i lirë të vendosë të hyjë, apo të mos hyjë në zgjedhje dhe s’është as detyrë e qeverisë të fusë me zor në zgjedhje partitë që s’duan të votohen nga populli, as e drejtë e shumicës qeverisëse të shtyjë zgjedhjet përtej afateve kushtetuese, pse disa parti nuk duan të hyjnë në zgjedhje”.

Kryeministri paralajmëroi liderët e opozitës se pengimi i premtuar i zgjedhjeve do të përballet me ndëshkime nga shteti. “Për parti apo individë që i japin vetes të drejta që s’jua njeh as Kushtetuta, as ligji, për t’i rënë ndesh Kushtetutës dhe ligjit, duke u kthyer në zjarrvënës të zgjedhjeve, ka një kapitull të veçantë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Është e nevojshme që ne ta informojmë në vijimësi publikun për përmbajtjen e këtij kapitulli, për t’i dalë borxhi deri në fund, jo ish-ligjvënësve që e kanë votuar çdo nen të kapitullit dhe i njohin shumë mirë pasojat e çdo akti kriminal ndaj zgjedhjeve, por për t’i dalë borxhi kujtdo që mund të bjerë pre e padijes së vet, duke shkuar pas berihait ditën e zgjedhjeve. Në këtë aspekt, Kodi Penal s’ka nevojë për asnjë ndryshim, sepse, ashtu siç e kemi votuar, kur në mazhorancë dhe në qeveri ishte PD, përbën një bazë solide ligjore në funksion të mbrojtjes së procesit zgjedhor nga çdolloj keqbërësi”, - tha z.Rama.

Ai njoftoi ashpërsim të ligjit për ata që bllokojnë rrugët, nisur nga veprimet e fundit të opozitës në akset kombëtare. Ndaj masa më të forta ndëshkimore do të ketë dhe ndaj “veprimeve që synojnë pengesat në çdo mjet dhe mënyrë të qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor dhe ajror”.

“Nuk mundet dot që ne ta pranojmë si normalitet sportiv bllokimin e lëvizjes së lirë të mjeteve dhe të qytetarëve dhe për më tepër, organizmin e bllokimit të qëllimshëm, në mënyrë sistematike. Nuk e pranon askush, nuk ka pse e pranon Shqipëria”, - komentoi Rama ndryshimet në këtë aspekt të Kodit Penal.

Ai paralajmëroi ndëshkim edhe për dhunën ndaj policisë. “Dhuna është një fenomen që ka vijuar të jetë shqetësim për njerëzit në krye të detyrës. Politika, fatkeqësisht, në vend që ta luftojë dhunën, në radhë të parë, me forcën e shembullit të saj, e ka stimuluar atë duke krijuar një klimë infektive. Domosdoshmëria për një përgjigje të prerë ligjore mbi dhunën ndaj të zgjedhurve dhe funksionarëve publikë, që nga salla e Parlamentit deri në çdo metër katror të Republikës së Shqipërisë; Dhunën ndaj punonjësve të policisë, që nga kundërshtimi me forcë i forcave të policisë, deri tek prekja me gishtin e vogël të uniformës blu do të adresohet pa asnjë ekuivok në paketën e re të ndryshimeve në Kodin Penal”, - tha z.Rama, duke vlerësuar se parashikimet aktuale në Kodin Penal, nuk e garantojnë mjaftueshëm reagimin e domosdoshëm ndaj akteve të dhunës.

Fakti që në protesta janë hedhur shashka dhe lëndë të tjera plasëse, ndonëse me fuqi modeste veprimi, ka nxitur kryeministrin që të ashpërsojë masat edhe në këtë aspekt. Ai tha se paketa e re sjell një ashpërsim të mëtejshëm të dënimeve për mbajtjen e armëve, armëve shpërthyese, lëndët plasëse, në kundërshtim me parashikimet ligjore apo pa leje të organeve kompetente.

 

Burg për shkelje të të drejtës së autorit

Duke folur për të drejtën e autorit, z.Rama tha se “ajo nuk mund të jetë një e drejtë e pambrojtur dhe nuk mund të jetë një e drejtë që shkelet sipas qejfit për përfitime financiare, ndërkohë që nëse i dëgjojmë të gjithë ata që kanë krijuar vepra të të gjitha zhanreve në Shqipëri, teksa të tjerët pasurohen me veprat e tyre, ata janë viktima të shkeljes së kësaj të drejte dhe përfitojnë zero ose thuajse zero nga shfrytëzimi i veprave të tyre”.

“Ky lloj aktiviteti, - tha z.Rama, - duhet të dënohet me burg, - dhe shtoi: “Është një vjedhje e hapur si çdo vjedhje tjetër dhe ata që shfrytëzojnë veprat e të tjerave, në mënyrë të paligjshme, i ftoj që kur shikojnë filma, të vënë re se çdo film amerikan fillon me një paralajmërim të FBI-së, ku paralajmërohet se marrja dhe shfrytëzimi i atij filmi për shpërndarje dhe përfitim të çon në burg”.

Gjithsesi edhe në këtë rast, z.Rama nuk specifikoi se ku do të fokusohen ndryshimet e Kodit Penal në këtë drejtim.