Praktika e punës në shtet: Aplikuan 3000 të rinj, 950 plotësuan kriteret

Praktika e punës në shtet: Aplikuan 3000 të rinj, 950 plotësuan kriteret
Rreth 950  nga 3000 të rinj që aplikuan për t’u bërë pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës plotësuan kriteret për të marrë eksperiencë në institucionet shtetërore dhe kompanitë private”.

Të dhënat bëhen me dije nga zv/ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lorena Haxhiu.

“Aplikimet kanë arritur në një numër prej rreth 3 mijë aplikantësh dhe sot që ne flasim kemi plot 951 të rinj që janë të sistemuar në këto institucione dhe që po zhvillojnë praktikën për të përmbyllur në muajin qershor fazën e parë dhe më pas për ti hapur rrugën punësimit të tyre. Pasi ashtu sikurse dihet VKM thotë që  200 prej këtyre të rinjve që janë duke zhvilluar praktikën në ministritë e linjës dhe institucionet në varësi të tyre do të punësohen ndërsa pjesa tjetër për sa i takon shoqërive tregtare dhe bashkive pra e kemi të shtrirë në 51 bashki do të shikojmë mundësitë për sa i takon vendeve vakante për ti hapur dhe vendosur në dispozicion këtyre të rinjve.” – tha zv/ministrja.

Sipas Haxhiut, Programi i Praktikave të Punës do të vijojë edhe në vitet në vijim, duke u zgjeruar në varësi të dinamikave të tregut të punës.

Ndërkaq, zëvendësministrja inkurajon të rinjtë që nuk arritën të bëhen pjesë e programit,  të aplikojnë në vitet në vijim.