OPOZITA BËN FAKT TË KRYER QEVERINË TRANZITORE

OPOZITA BËN FAKT TË KRYER QEVERINË TRANZITORE
Lideri demokrat, Lulzim Basha thotë se mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme e ka sjellë vendin në një kolaps total të demokracisë

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, thotë se mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme e ka sjellë vendin në një kolaps total të demokracisë, Kushtetutës, institucioneve, shtetit të së drejtës. Basha vlerëson se po ashtu është paralizuar drejtësia dhe vendi gjendet pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë dhe me Prokurori të kapur.

“Jemi në një gjendje të kolapsit total, sepse Shqipëria nuk ka as parlament legjitim, as qeveri legjitime, nuk ka shtet të së drejtës. Pasojat e korrupsionit të shfrenuar të qeverisë bien çdo ditë mbi jetët e shqiptarëve të pafajshëm anembanë vendit”, - tha z.Basha teksa shpalli dje “platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe detyrat e qeverisë tranzitore”.

Për z.Basha, “asgjësimi i votës së lirë ka përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë”. Sipas tij, “skandalet e kësaj qeverie do të mjaftonin që kafazi i të pandehurve të ishte plot me jakat e bardha të kabinetit dhe zyrtarëve më të lartë shtetërore, por kjo nuk ka për të ndodhur, sa kohë themeli i bashkëjetesës demokratike, vota e lirë është asgjësuar”.

Kryetari demokrat tha se “shkatërrimi i votës së lirë është themeli i mjerimit ekonomik, duke sjellë nivele të paprecedenta të papunësisë, të varfërisë dhe të papërgjegjshmërisë totale në shërbime që ky shtet e ka për detyrë t’ua japë qytetarëve të vet”.

Basha alarmoi se këtu nuk ka më asnjë instancë kontrolli pushteti dhe shtoi: “Të gjitha pushtetet janë në një dorë. Parlamenti ilegjitim kontrollohet nga qeveria ilegjitime. Pra nuk është parlamenti që të kontrollojë qeverinë, është qeveria që kontrollon parlamentin”.

Duke shpalosur platformën, e cila sipas Bashës është plani i punës së qeverisë së ardhshme, z.Basha bëri fakt të kryer krijimin e qeverisë kalimtare dhe tha se do të jetë një kabinet teknik, pa emra politikë.

Ai sqaroi se zbatimi i 10 detyrave të qeverisë për garantimin e zgjedhjeve nuk kërkon asnjë ndryshim ligjor, por vetëm vullnet politik.

Basha siguroi se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë e po ashtu pa opozitën nuk do të ketë. “Zgjedhje pa opozitën janë farsë dhe, në rastin më të mirë, janë një tentativë e dështuar për votim”, - theksoi Basha duke premtuar se “ne nuk do të lejojmë që krimi të bëjë më zgjedhje në Shqipëri”. Lideri demokrat tha se zgjedhje do të mbahen vetëm pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të vitit 2016 dhe 2017.

E për këtë, Basha tha se “largimi i Ramës i hap rrugë zgjidhjes politike që ka kërkuar opozita e bashkuar dhe legjitime e Shqipërisë, për të hapur dialogun me PS dhe qeverinë e re tranzitore për të krijuar kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Në platformë evidentohen 10 detyra për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, duke nisur nga goditja me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, tek ndalimi i presionit qeveritar mbi drejtësinë e deri tek shkëputja e lidhjes së policisë me krimin

 

“Platforma për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si detyrë kryesore e qeverisë së përkohshme”

 

Partia Demokratike dhe aleatët e Opozitës së Bashkuar prezantuan dje Platformën për Zgjedhjet e Lira e të Ndershme, si detyrë kryesore e qeverisë tranzitore.

Anëtari i kryesisë së PD Oerd Bylykbashi, duke prezantuar Platformën, e vuri theksin tek problemet kryesore që kanë pasur proceset zgjedhore në Shqipëri, procese që kanë ardhur duke u përkeqësuar, që nga zgjedhjet e vitit 2013, veçanërisht në zgjedhjet e vitit 2015 dhe 2017.

Ai tha se procesi zgjedhor kaloi nga vlerësimi prej ODIHR-it në procesin e 2009, se ai arriti shumicën dërrmuese të angazhimeve të OSBE-së, në raportimin e 2017-s, ku ODIHR-i flet për korrupsion dhe shitblerje të zgjedhjeve, duke e renditur rekomandimin për shitblerjen e votës në krye të rekomandimeve të tij.

Duke evidentuar faktin sipas tij, se qeveria dhe Edi Rama s’kanë asnjë vullnet politik për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë e të ndershëm, Oerd Bylykbashi tha se vetëm një qeveri tranzitore do ta marrë përsipër një mision të tillë.

“Edi Rama dhe qeveria e tij nuk mund të garantojnë zgjidhjen e problemeve që pamundësojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si shkaktari i këtyre problemeve, Edi Rama nuk mund të jetë zgjidhja. Vetëm një qeveri tranzitore, jashtë konfliktit të interesit, me vullnet dhe mbështetje politike, mund të zbatojë detyrat e ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme”, - tha z.Bylykbashi.

Në platformë evidentohen 10 detyra për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, duke nisur nga goditja me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, tek ndalimi i presionit qeveritar mbi drejtësinë e deri tek shkëputja e lidhjes së policisë me krimin.

 

Pikat kryesore të platformës

 

PROBLEMET E ZGJEDHJEVE

 

Përfshirja e krimit të organizuar në bashkëpunim me qeverinë në shitblerjen e votës dhe presioni mbi zgjedhësit.

Presioni mbi administratën dhe abuzimi me burimet shtetërore.

Identifikimi i besueshëm i zgjedhësve.

Lista e zgjedhësve dhe sistemi i adresave.

Votimi fiktiv i emigrantëve.

Roli i policisë në zgjedhje

 

DETYRAT E QEVERISË TRANZITORE

 

Goditje me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, intimidimin e votuesve dhe manipulimin e zgjedhjeve.

Ndalim i presionit qeveritar mbi drejtësinë për t’i hapur rrugë hetimit të bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe pushtetarëve për manipulimin e zgjedhjeve.

Monitorim i rreptë dhe goditje me tolerancë zero ndaj presionit mbi administratën publike dhe zgjedhësit.

Ndalim i prokurimeve, tenderëve, koncesioneve/PPP-ve, licencave, favoreve dhe abuzimeve të tjera me burimet shtetërore.

Kontroll dhe marrje masash për emërimet dhe shkarkimet e paligjshme nga administrata publike dhe kompanitë shtetërore, si dhe për ndryshimet e paligjshme në listat e ndihmës ekonomike, personave me aftësi të kufizuar etj.

Pajisje e shtetasve me letërnjoftime, skema lehtësuese dhe hetim penal i falsifikimeve të

letërnjoftimeve.

Regjistrim i adresave të të gjithë shtetasve dhe hartim me integritet i listave të zgjedhësve.

Hetim dhe ndëshkim me tolerancë zero i votimit fiktiv të emigrantëve.

Shkëputje e lidhjes së policisë me krimin, goditje e policëve të inkriminuar, angazhim i policisë kundër krimit zgjedhor dhe garantim i sigurisë në zgjedhje.

Raportim me transparencë i veprimtarisë ligjzbatuese dhe akses i besueshëm për opozitën.

 

LUFTA KUNDËR SHITBLERJES SË VOTËS

 

Ashpërsimi i goditjes së krimit të organizuar nga policia.

Goditja me tolerancë zero e shitblerjes së votës.

Kërkesë ndaj prokurorisë dhe SHISH për të hetuar me prioritet krimin zgjedhor, veçanërisht dosjet 184 dhe 339.

Vendosja e institucioneve ligjzbatuese qeveritare (Policia, Drejtoria e Pastrimit të Parave etj) në funksion të goditjes së krimit zgjedhor.

 

ABUZIMI ME BURIMET SHTETËRORE

 

Ndalim i menjëhershëm i përdorimit të burimeve materiale dhe financiare me ndikim në zgjedhje.

Moratorium i punësimeve deri në datën e zgjedhjeve.

Monitorim i rreptë i penalizimeve dhe përfitimeve sociale (ndihma ekonomike, personat me aftësi të kufizuar, banesat sociale) dhe vënie para ligjit e shkelësve.

Ndalim i aktiviteteve promovuese qeveritare në fushatë zgjedhore.

Moratorium i akteve qeveritare që krijojnë përfitime në periudhë zgjedhore.

(lehtësi fiskale, pronësore, ekonomike)

 

PRESIONI MBI ADMINISTRATËN DHE ZGJEDHËSIT

 

Ngritja e strukturave për mbikëqyrjen, denoncimin, regjistrimin dhe ndjekjen e rasteve të presionit mbi zgjedhësit, sidomos atyre në administratë.

Prioritet dhe tolerancë zero në hetimin dhe ndëshkimin e presioneve mbi administratën dhe zgjedhësit.

Koordinim institucional me prokurorinë për të hetuar presionin mbi zgjedhësit.

 

IDENTIFIKIMI I BESUESHËM I ZGJEDHËSVE

 

Fuqizim dhe financim i menjëhershëm i infrastrukturës për pajisje me letërnjoftime.

Skema subvencionimi të çmimit të letërnjoftimit për personat në nevojë.

Monitorim dhe ndëshkim të rasteve penguese për zgjedhësit.

Fushatë proaktive ndërgjegjësimi dhe njoftimi.

Ngritja e një sistemi për verifikimin e letërnjoftimeve në çdo QV dhe goditja penale e falsifikimeve.

 

LISTAT E ZGJEDHËSVE DHE SISTEMI I ADRESAVE

 

Regjistrim derë më derë i shtetasve dhe identifikim i adresës së çdo shtetasi.

Integrimi i adresave me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Regjistrim i zgjedhësit vetëm në listën e QV që i korrespondon vendbanimit faktik.

Përditësim i hartave zgjedhore.

Masa për caktimin e adresës së zgjedhësve emigrantë dhe caktimin e QV përkatëse.

Hartim i listave të zgjedhësve drejtpërdrejt nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile.

 

VOTIMI FIKTIV I EMIGRANTËVE

 

Ngritja e një sistemi kontrolli dhe monitorimi të hyrje-daljeve në kufi dhe në sistemin TIMS.

Sigurimi i aksesit të plotë në TIMS për KQZ-në për të hetuar ankesat për votim fiktiv të emigrantëve.

Ndjekje penale me tolerancë zero të shkeljeve.

 

ROLI I POLICISË NË ZGJEDHJE

 

Monitorim institucional i veprimtarisë së policisë në proces zgjedhor.

Raportim dhe ndëshkim i shkeljeve.

Largim i menjëhershëm i drejtuesve dhe policëve të lidhur me krimin.

Prioritet në goditjen e krimeve zgjedhore.

Garantim i sigurisë në zgjedhje dhe goditja e bandave.

Nxjerrje e akteve ligjore që disiplinojnë rolin e policisë në zgjedhje.

Raportim transparent i veprimtarisë së policisë.