Mogherini: Çelja e negociatave në qershor, e arritshme, por jo e lehtë

Mogherini: Çelja e negociatave në qershor, e arritshme, por jo e lehtë
“Ky është një objektiv i arritshëm, pra, çelja e negociatave në qershor. Por nuk është i lehtë, nuk duhet marrë si i mirëqenë sot, pasi secili prej shteteve tona anëtare duhet të bindet plotësisht, opinioni publik në ato vende duhet të jetë mbështetës dhe secili vend anëtar ka edhe procesin e vet të vendimmarrjes në këtë çështje”. Me një deklaratë të tillë do të shprehej dje nga Tirana, në krah të kryeministrit shqiptar, kryediplomatja e lartë evropiane, mbi pritshmëritë e procesit të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Sipas saj,

“Ky është objektivi ynë i përbashkët, që t’i përdorim këto javë në vijim për të punuar për këtë gjë. Ndaj inkurajoj të gjithë në Shqipëri, jo vetëm Kryeministrin, i cili duket që nuk ka nevojë për përkrahje dhe jo vetëm qeverinë, por edhe institucionet e tjera, si dhe qytetarët e Shqipërisë që të vazhdoni të jepni kontributin tuaj, duke komunikuar me të gjithë miqtë që ju keni në BE e të gjitha shtetet anëtarë të BE-së, që të ketë më shumë besim te Shqipëria dhe te e ardhmja jonë e përbashkët”, apeloi më tej ajo. Për të vënë në dukje gjithashtu faktin se “kjo përpjekje kolektive e përbashkët kërkon që të gjitha palët të jenë të bashkuara për objektivin e integrimit europian të Shqipërisë dhe që për këtë të lihen mënjanë ndasitë”. Duke vënë theksin tek fakti se pikërisht për këtë gjë e cila duhet të konsiderohet si prioritet, ia vlen të sakrifikohet mes palëve.

Nga ana tjetër, ajo ka renditur dje reformën në drejtësi që po realizohet në Shqipëri, si shembull edhe për vende anëtare të Bashkimit Europian. Por në të njëjtën kohë edhe reduktimi drastik i kanabisit, si edhe goditja ndaj bandave dhe krimit, u vlerësuan si arritje të qeverisë nga shefja për Politikën të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

“Nuk do të jap këtu një listë të gjitha atyre kushteve për të cilat ju keni patur arritje, por dëshiroj t’ju përgëzoj për punën që keni bërë për këto tre qëllime kryesore që unë do t’i përmend si shembuj të gjithë asaj pune dhe ecurie që ka arritur Shqipëria në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian”, theksoi ajo.