Mirditorët në protestë: Rama të shporret nga karrigia e kryeministrit!

Mirditorët në protestë: Rama të shporret nga karrigia e kryeministrit!
Banorët e Mirditës, të mbështetur nga Partia Demokratike protestuan dje përpara Bashkisë së Rrëshenit si përgjigje ndaj qeverisë “Rama”, e cila sipas tyre prej gjashtë vitesh vetëm po i varfëron, po rrit papunësinë dhe e mban pushtetin qendror e atë vendor me vota të vjedhura. Kështu, protestues që mbanin në duar pankartat “Rama ik” iu drejtuan qendrës së qytetit me thirrjen për largimin e kryeministrit që “i ka lënë në mëshirë të fatit, pa asnjë investim, pa punë, duke u hequr edhe ndihmën sociale familjeve të pamundura, e duke larguar çdo ditë e më shumë të rinjtë”.

Nga ana e tiij, sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata, i pranishëm në protestë theksoi se Rama duhet të shporret dhe të largohet me shkelma nga ajo zyrë, pasi i ka vjedhur dhe gënjyer shqiptarët çdo ditë. “Një njeri i ka zënë frymën Shqipërisë dhe Mirditës. Një njeri ka kapur gjithçka, ka kapur pasurinë e këtij vendi, ka kapur institucionet e këtij vendi, ka kapur jetën e këtij vendi, ka kapur për fyti fëmijët tanë, të ardhmen e tyre. Nuk vazhdohet më kështu”, tha ai.

Ndërsa kandidati për deputet i cili refuzoi të marrë mandatin e deputetit Martin Biba theksoi se Shqipëria drejtohet nga një shtet fallco, me një kryeministër që ka futur duart shumë keq tek votat e vjedhura nëpërmjet parave të krimit në Mirditë, Kurbin, Lezhë, Dibër, Shkodër, Kukës, Vlorë, Gjirokastër e kudo.