Meta: Rajoni, të krijohet një hapësirë ekonomike atraktive për investimet

Meta: Rajoni, të krijohet një hapësirë ekonomike atraktive për investimet
“Konkluzionet e këtij Samiti, të dëgjohen edhe më shumë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian”. Kështu deklaroi Presidenti Ilir Meta në konferencën e përbashkët për shtyp, në përfundim të punimeve të Samitit të radhës së Procesit të Brdo-Brijunit, që u mbajt në Tiranë.

Teksa shtoi edhe rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal, me qëllim krijimin e një hapësire ekonomike atraktive për investimet, sidomos nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Konkluzionet e këtij Samiti evidentuan ecurinë pozitive të rajonit e në mënyrë të veçantë arritjen e jashtëzakonshme të Marrëveshjes së Prespës dhe tashmë rrugën mjaft të suksesshme të Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në NATO, por edhe drejt çeljes së negociatave në Bashkimin Evropian. U nënvizua për të përforcuar më tej dialogun në procesin e pajtimit të rajonit bazuar në të vërtetën besimin dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani nga palët”, deklaroi gjithashtu Meta. Duke shtuar se që të gjithë u angazhuam që të bashkëpunojmë për të ruajtur dhe garantuar paqen dhe sigurinë në rajonin tonë.

Nga ana tjetër, duke iu referuar situatës aktuale në dy vendet fqinje, Kosovë dhe Serbi, Meta ka theksuar dje Shqipëria do të mbështesë çdo përpjekje për normalizim të marrëdhënieve mes tyre.

“Shqipëria do të mbështesë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian”, tha Meta.

Duke shtuar se një proces konstruktiv ka potencialin që të prodhojë marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, tërësore dhe të zbatueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kontribuon për paqen, stabilitetin e perspektivën europiane të rajonit.