Marku: Pse duhej një Prokurore e Përkohshme dhe si do të veproj nëse zgjidhem Kryeprokurore

Marku: Pse duhej një Prokurore e Përkohshme dhe si do të veproj nëse zgjidhem Kryeprokurore
Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku e ftuar në “Open” të Eni Vasilit, në Top Channel ka folur edhe lidhur me faktin pse duhej një Prokurore e Përkohshme dhe se si do të veprojë ajo nëse zgjidhet Kryeprokurore.

Marku tha kjo zgjidhje u gjet për të shmangur ngërçin ligjor nëse do vononte të ngrihej KLP.

“Në një nga ligjet, pjesë e paketës së reformës në drejtësi, në ligjin për funksionimin dhe organizmin e prokurorisë, në një dispozitë kalimtare të këtij ligji parashikohej se nëse Këshilli i lartë i prokurorisë nuk do zgjidhej në kohë dhe gjatë kësaj periudhe mbaronte mandati i prokurorit që ishte në detyrë aso kohe, funksionet e prokurorit të përgjithshëm do t’i ngarkoheshin për t’i kryer një nga prokurorët me më shumë eksperiencë, që kishte përfunduar magjistraturën apo që kishte një gradë shkencore në drejtësi, që kishte një eksperiencë pune mbi 15 vjet në sistemin e prokurorisë dhe do caktohej me vendim të kuvendit për t’i ushtruar detyrat e prokurorit të përgjithshëm në mënyrë të përkohshme”, tha ajo.

Ndërsa nëse zgjidhet Prokurore e Përgjithshme zonja Marku deklaroi se vizioni i saj është të ketë prokurorë të pavarur dhe të përgjegjshëm.

“Secili ka pasur detyrim që në momentin që ka aplikuar, të ketë një plan veprimi të qartë se si do ta drejtojë institucionin.

Kam një vizion ku dua ta shoh Prokurorinë pas 7 vitesh, prokurorë të pavarur, por të përgjegjshëm”, theksoi Marku. /l.k./

Foto Google