LSI, Vasili: Mogherini në ikje, i bëri qokën e fundit Edi Ramës

LSI, Vasili: Mogherini në ikje, i bëri qokën e fundit Edi Ramës
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka akuzuar dje se komisionerja për zgjerimin në Bashkimin Evropian, Federica Mogerini, në ikje e sipër nga posti, i bëri qokën e fundit kryeministrit Edi Rama. Kjo pasi siç tha ai, “Mogherini në ikje, flet për një Shqipëri që nuk ekziston”.

“Ajo habiti për keq shqiptarët duke dhënë fakte imagjinare në vend të të vërtetave, që ata i njohin mirë”, tha gjithashtu ish-deputeti i LSI-së, referuar fjalimit të mbajtur dje nga komisionerja e jashtme e BE-së në Tiranë, në krah të kryeministrit Edi Rama.

Më tej, Vasili analizoi edhe shtatë pika ku siç pohon ai, shqiptarët nuk pajtohen dot me Mogherinin: “Së pari: Është e vërtetë se 63% e shqiptarëve nuk e mbështesin reformën ne drejtësi dhe nuk është aspak e vërtetë ajo që thotë Mogherini se 80% e shqiptareve mbështesin atë. Së dyti: Është e vërtetë, që Shqipëria e ka marrë rekomandimin për hapjen e negociatave që në vitin 2016 dhe jo vjet kur thotë Mogherini. Madje, vjet Shqipërisë iu shtuan edhe 7 kushte te tjera. Së treti: Është e vërtetë që reforma në drejtësi është dështim i plotë, Shqipëria është pa drejtësi, pa Gjykatë Kushtetuese dhe të lartë, me veting me dy standarde dhe me një KLGJ dhe KLP kur njerëz pa integritet deri dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit janë pjesë e tyre. Dhe nuk është aspak e vërtetë ajo që thotë Mogherini se ajo është një histori suksesi për t’u marrë shembull. Së katërti: Është e vërtetë se krimi mbretëron dhe korrupsioni është thelluar me 8 shkallë sipas “Transparency International” dhe nuk është aspak e vërtetë ajo që thotë Mogherini se korrupsioni është luftuar. Së pesti: E vërtetë është që qeveria dhe kryeministri kanë dalë nga sistemi dhe kanë krijuar monizmin në parlament dhe në sistemin e drejtësisë dhe nuk është aspak e vërtetë ajo që thotë Mogherini se qeveria ka përmbushur detyrimet. Së gjashti: Është e vërtetë që media është kapur nga qeveria dhe liria e medias sipas “Reporterëve pa Kufi” ka rënë me 8 shkallë. Së shtati: Është e vërtetë që zgjedhjet e lira u shkatërruan nga krimi i organizuar dhe fajtorët nuk janë dënuar, dosjet 339 dhe 184 janë bllokuar dhe kriminelet ne qeveri dhe jashtë saj livadhisin si duan”.

Duke përfunduar se ajo ishte një kohë e humbur kot për shqiptarët, që në ikje e sipër, harroi rrugës edhe parimet e mëdha të Evropës që ata aspirojnë.