Liderët e Ballkanit: Zgjerimi i BE-së me ne, çështje gjeostrategjike

Liderët e Ballkanit: Zgjerimi i BE-së me ne, çështje gjeostrategjike
“I bëjmë thirrje Bashkimit Europian të konsiderojë zgjerimin e tij në Ballkanin Perëndimor si një çështje me rëndësi gjeopolitike”. Një apel të tillë kanë drejtuar dje njëzëri liderët e Procesit të Brdo-Brijunit, në përfundim të samitit të radhës që zhvilluan në Tiranë. Duke shtuar se integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në sistemin europian të vlerave është një faktor i rëndësishëm edhe për vetë stabilitetin e përgjithshëm europian. “Theksojmë rëndësinë pozitive të zgjerimit të Bashkimit Europian në këtë rajon për forcimin e demokracisë, të sundimit të ligjit dhe respektimin, mbrojtjen dhe përmbushjen e të drejtave të njeriut në rajon si dhe zgjidhjen e çështjeve dypalëshe”, thuhet më tej në deklaratën përmbyllëse të këtij aktiviteti.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Shqipëria nuk harruan të pranojnë edhe faktin se kjo nuk përjashton detyrimin e vendeve kandidate për të zbatuar standardet e vendosura nga Bashkimi Europian ndaj vendeve që kërkojnë anëtarësim të plotë në të. “Ne besojmë se është reciprokisht e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, që standardet të respektohen dhe procesi i negociatave të bëhet më fleksibël si dhe më i shpejtë”, cilëson deklarata në fjalë, lidhur me këtë dukuri.

Më tej, ata i referohen edhe Marrëveshjes së fundit të Prespës, duke shtuar se një shembull i tillë i hap rrugën forcimit të lidhjeve europiane dhe euroatlantike me rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Pranuam se ky moment pozitiv ka ngjallur optimizëm të ri sinergjik në rajon, duke mbajtur parasysh perspektivat e tij europiane dhe euroatlantike, si objektiva kyçe strategjike”, shton deklarata e Samitit.

Duke përfunduar me qëndrimin e përbashkët se “të vetëdijshëm për debatet e brendshme intensive që po zhvillohen në gjirin e Bashkimit Europian, në kontekstin e BREX-it, por edhe të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare europiane, ne mirëpresim përkushtimin e BE-së përkundrejt rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

***

PREMTIMI

“Do zgjidhen çështjet ende të hapura mes vendeve fqinje”

“Ne mbështesim qëndrimin e Bashkimit Europian se një nga kushtet për anëtarësimin e një vendi aspirues është zgjidhja e çështjeve ende të hapura dypalëshe me fqinjët e vet. Të gjitha çështjet e hapura do të zgjidhen në mënyrë paqësore, nën frymën e respektit dhe të bashkëpunimit reciprok”. Ky është premtim që vendet e procesit të Brdo-Brijunit, mes tyre edhe Shqipëria u kanë drejtuar vendeve të BE-së. “Ramë dakord mbi nevojën për të forcuar edhe më tej proceset e dialogut dhe pajtimit në rajon, bazuar në të vërtetën, besimin si dhe aderimin në të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani, si dhe duke mbajtur parasysh ruajtjen e paqes, sigurisë dhe begatisë së brezave të tanishëm e të ardhshëm”, cilësohet më tej në deklaratën e përbashkët, rreth një fakti të tillë.