Kush po ia rikthen kohërat e arta? Partizani pas '90, për herë të parë me tre ekipe kampione

Kush po ia rikthen kohërat e arta? Partizani pas '90, për herë të parë me tre ekipe kampione
Pak ditë më parë u shpall kampion vendi, në volejbollin e femrave.

Pas 38 vite pritje, Partizani këtë fundjavë shpallet kampion edhe në volejbollin e meshkujve.

Skuadra kryeqytetase e mbylli me 3 ndeshje çështjen e titullit të kampiones së Shqipërisë në volejboll për meshkuj, duke shënuar dy fitore në Shkodër dhe një në Tiranë ndaj Vllazninë, që mjaftuan për t’u kurorëzuar me trofeun aq të pritur nga klubi i Partizanit.

Djemtë e drejtuar nga trajneri Ylli Tomori janë shpallur kampionë të Shqipërisë, pas jë pritjeje të gjatë.

Pas sukseseve të volejbollit, këtë javë që vjen është radha e futbollit.

Partizani i drejtuar nga Skënder Gega fitoi 3-0 në Vlorë ndaj Flamurtarit dhe kur kanë mbetur vetëm katër javë nga mbyllja e kampionatit, të kuqtë, me diferencën prej 10 pikësh karshi Kukësit të vendit të dytë, presin ndoshta derbin me Tianën, për t’u kurorëzuar pas plot 25 vjetësh me titullin kampion.

Edhe në basketboll ekipet e Partizanit, ndonëse pa trofe, kanë pasur një rritje të dukshme.

Ndoshta është ky viti i rikthimit të një emri të madh, atij të Partizanit, klub që dominoi dhe fitoi trofe të shumtë për gati gjysmë-shekulli në te tre sportet masive e më popullore në Shqipëri.